Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Rama në lidhje me buxhetin e vitit 2023.
Sot në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se Rama do t’u japë klientëve të tij, përmes koncesioneve, 120 milionë euro në një vit, në vend që të mbështesë qytetarët.
Ndër të tjera, sipas Metës, Rama do të japë 1 miliard euro për shtatë koncesione.
“Në vend të mbështetjes së qytetarëve, Edi Rama do t’u japë klientëve të vet vetëm në një vit me koncesione 120 milionë euro. Parashikon 130 milion euro taksa të reja, taksa shtesë. Qeveria do të paguajë 30 milionë euro më shumë sesa viti aktual për këto kontrata PPP. Totali i kostos së shërbimit të borxhit në vitin 2023 do të arrije një shumë rekord në vitin 2023 në 136.4 miliard lekë, ose në rreth 1.15 miliard euro me një rritje në 69% krahasuar me vitin 2022. Totali i kostos së shërbimit të borxhit do të jetë pothuajse i barabartë me buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë të marra së bashku për vitin 2023. Do të jepen 1 miliard euro për 7 koncesione dhe do të vazhdojnë rrugët e florinjta qindra milionë euro”, tha Meta.
Më tëj kreu i PL-së, u ndal dhe tek rritje e pensioneve. Sipas tij rritja e pensioneve ka qenë qesharake njësoj si ajo e ndihmës ekonomike. Më tej ai ka thënë se buxheti i jep një goditje prodhimit vendas të pijeve, si rezultat i rritjes së akcizës, duke goditur industrinë vendase të pijeve dhe duke favorizuar importuesit dhe evazionin.
“Korrupsioni skizofrenik i kësaj qeverie. Është e rëndësishme të denoncojmë jo vetëm këto skandale, si porti i Durrësit apo segmenti 46 Kmm 360 mln euro për Levan Fier por të gjithë çmontimin e këtij buxheti që është në favor të oligarkëve dhe klientëve të Edi Ramës. Është në dëm të qytetarëve se nuk rriten pagat, pensionet por shtohen pagesat për borxhin dhe koncesionin.
Do të jepen 1 mld euro për 7 koncesione, ndërsa tatimet dhe doganat falë evazionit do të bëjnë namin.
Ky buxheti i jep një goditje prodhimit vendas të pijeve, si rezultat i rritjes së akcizës, duke goditur industrinë vendase të pijeve dhe duke favorizuar importuesit dhe evazionin. Do të favorizohet edhe si rezultat i vendosjes së gjobave 10 fish ndaj biznesit. Rritja e pensioneve është qesharake, as një kafe. Edhe ndihma ekonomike dhe e paaftësisë e papërfillshme”, deklaroi Meta.