Berisha: Qeveria Rama dhe ajo e Vuçiç po bëjnë trafik njerëzish drejt Europës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi që zhvilloi me sipërmarrësit në selinë blu, ka bërë një deklaratë të fortë, ku është shprehur se qeveria e Ramës dhe ajo e Aleksandër Vuçiç po kryejnë trafiqe njerëzore drejt Evropës.

“…Edhe po të doni të investoni, nuk mund të investoni. Këtu është katandisur Shqipëria sot dhe ky pretendon ta zgjidhë me bangladeshas. E dini ca bëjnë ata, vijnë, lënë pasaportat tek sipërmarrja dhe ikin, çajnë në Europë masivisht, i ka kapur edhe Europa tani, që kjo qeveri dhe ajo e Vuçiçit bëjnë trafik njerëzor. I sjellin nga Azia me kanale trafiku dhe nga Mali i Zi apo zona të tjera i përcjellin në Europë.

Një politikë shpopulluese, diskriminuese e jashtëzakonshme. Këta ato para i ndajnë me njëri-tjetrin. Merrni ju dhe shikoni kush fiton tenderat e bashkive, qeverisë. Absolutisht 95% janë vetëm kompani të njëri-tjetrit, të vëllaut, motrës, krushkut etj., sepse ndajnë paratë. Ju nuk mund të merrni pjesë në tendera, nuk keni asnjë shans se janë të paracaktuara”, ka deklaruar Berisha.
Më tej kreu i PD-së ka folur dhe për Portin e Durrësit, teksa u shpreh se ky investim, sipas tij, përllogaritet dhjetë herë më shumë se ajo e inceneratorëve.

Sipas Berishës, afera e Durrësit shkon minimalisht në shifrën e 5 miliardë eurove.

“Ne jemi para evenimenteve të mëdha në një situatë kritike. Jemi në përballje me këtë regjim, që siç e shihni ka si rezultante largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria, vjedhjes dhe varfërimit të tyre. Kjo qeveri ka shndërruar administratën e vet në një shtrat të nxehtë për hajdutët. Kualifikon hajdutë. Po si ndodh kjo? Po sigurisht se kur kryeministri vendos me firmë të vjedhë 420 mln euro për djegësa që nuk ekzistojnë kund ajo vazhdon me radhë, se e di që nuk ka kush çfarë i bën.

Ju e patë se si u lirua Bllako, se u çoi ultimatum. Kjo e djegësave nuk është më e madhja. Një aferë tjetër 10 herë më e madhe është Porti i Durrësit. Kush është shqiponja e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, a e dini ju, një kompani e sanksionuar nga BE e lidhur me Karriçët e Beogradit, kjo është e vërteta, prandaj nuk zbulohen.

Kjo aferë e Durrësit shkon minimumi 5 miliardë Euro, trualli mbi 1 mln metra katror, ndërtimet mbi të, Dubai, parajsa e Edi Ramës“, u shpreh Berisha.