Barcelona e dëshiron mbrojtësin e Man Cityt, nëse dështon në transferimin e Martinezit

Barcelona raportohet se dëshiron të nënshkruajë me Aymeric Laporten në afatin kalimtar të dimrit, nëse dështon në transferimin e Inigo Martinezit.

Sipas “Diario Sport”, pas vendimit të Gerard Piques për t’u tërhequr nga futbolli, transferimi i mbrojtësit të Athletic Bilbaos, Inigo Martinez, është bërë prioriteti i Barcelonës për afatin kalimtar të dimrit.

Megjithatë, katalunasit thuhet se do të nënshkruanin me 31-vjeçarin vetëm me një çmim të ulët, duke marrë parasysh se kontrata e tij skadon pas përfundimit të sezonit. Për momentin, Bilbao po refuzon te negociojë për këtë çështje.
Nëse kjo marrëveshje dështon, Barça është duke kërkuar opsione të tjera dhe ka interesim për mbrojtësin e Manchester Cityt, Aymeric Laporte.

Kjo nuk është hera e parë që Barça po diskuton një transferim të mundshëm të spanjollit. Vitin e kaluar, lojtari ishte shumë i interesuar për t’u transferuar në “Camp Nou”, por Barcelona nuk ia doli të arrinte marrëveshje me Manchester Cityn lidhur me çmimin.

Transferimi i 28-vjeçarit do t’i kushtonte Barcelonës më shumë sesa transferimi i Martinezit, por drejtuesit e klubit besojnë se transferimi i Laportes do të ishte më i duhur për të ardhmen.