“100 euro për një takim”, dy 13-vjeçarët në Tiranë mashtronin burrat me llogari të rreme në Instagram

Një rast mashtrimi përmes takimeve në rrjete sociale është zbuluar në Tiranë.

Sipas Abc News, policia e kryeqytetit ka shoqëruar në komisariat dy 13-vjeçarë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin hapur një adresë false në Instagram me emrin Ana Shehu.

Të miturit publikonin në faqe postime me anë të të cilave joshnin “viktimat” dhe linin takime me ta. Ata i jepnin adresën e apartamentit ku do të takoheshin dhe i kërkonin 100 euro.
Më tej, 13-vjeçarët i kërkonin klientëve që kur të futeshin në pallat, në hyrje të linin një zarf me shumën prej 100 eurosh.

Ky ishte kushti që i vendosnin klientëve për tu ngjitur më pas në apartamentin e “Anës” për të zhvilluar takimin.

Shuma e parave merrej nga dy të miturit që prisnin viktimat në hyrje të një pallati në territorin e komisariatit nr.4 dhe më pas largoheshin.

Klientët trokisnin në një banesë ku nuk i përgjigjej askush.