Xavi Hernandez pas ndeshjes: Kur nuk mposht Interin në shtëpi, nuk e meriton të vazhdosh më tej

Barcelona dhe Interi prodhuan një ndeshje spektakolare dhe plot emocione në “Camp Nou”. Gjashtë gola dhe barazim 3-3, rezultat të cilit iu gëzuan më shumë zikaltrit italianë të Simone Inzaghit, të cilët mjaftojnë të mposhtin Viktoria Plzen në Milano për t’u kualifikuar në 16 ekipet më të mira të Champions League.

Ekipi katalanas ka nevojë për një mrekulli për të avancuar më tej në turneun më të rëndësishëm për klube, teksa trajneri Xavi komentoi në këtë mënyrë barazimin ndaj nënkampionëve të Italisë: “Një ndeshje me dy tablo. Pjesa e parë ishte e shkëlqyer për ne.

LEXO EDHE:
Përfundojnë ekzaminimet mjekësore për Di Maria-n, zbulohet se sa do të mungojë argjentinasi
Sulmuam mirë, Interi vuajti, teksa ne zhvilluam një punë fantastike në mesfushë me Pedrin dhe Gavin. Në pjesën e dytë bëmë shumë gabime, duke nisur nga goli i parë i Interit që na dëmtoi psikologjikisht. Gabuam edhe te goli i dytë. Nuk mund të bëjmë gafa të tilla në këto lloj takimesh.

Janë gabime të cilat i paguan shtrenjtë. Tentuam të nxjerrim në pah karakterin, por kalendari ishte mizor ndaj nesh: si në Mynih dhe Milano. Duhet ta pranojmë se nëse nuk mposhtim Interin në shtëpi nuk e meritojmë të kualifikohemi më tej.

Kualifikimi nuk varet më nga ne, nuk e meritojmë të avancojmë në këtë kompeticion. Më vjen keq, pasi kemi luajtur mirë në Mynih, gjithashtu në pjesën e dytë në Milano. Edhe pjesa e parë këtu ishte e shkëlqyer, por kryem dy gabime fatale dhe një gjë e tillë ndikon shumë në Champions.

Jemi të zhgënjyer, të mërzitur dhe të trishtuar. Pësuam një goditje të fortë, shumë të fortë. Duhet të bëjmë autokritikë. Sezoni është i gjatë, nuk kemi dhënë maksimumin për gabimet tona dhe kjo është mizore. Le të fokusohemi tek El Clasico”, deklaroi trajneri katalanas.

Barcelona rikthehet në fushë të dielën e 16 tetorit. Skuadra katalanase do të luajë ndaj Realit të Madridit në “Santiago Bernabeu” në takimin më të rëndësishëm të sezonit në La Liga.