Tre të vdekur nga shpërthimi i urës që lidh Krimenë me Rusinë

Së paku tre persona kanë vdekur nga shpërthimi në urën Kerch që lidh Rusinë me Krimenë, thotë Komiteti Hetimor i Rusisë.

“Sipas informatave fillestare, tre persona kanë vdekur nga shpërthimi. Besohet se viktimat ishin pasagjerë të veturës që ndodhej afër kamionit që shpërtheu. Aktualisht, trupat e dy viktimave – një burrë dhe një grua – janë nxjerrë nga uji dhe po punohet në zbulimin e identitetit të tyre”, thuhet në deklaratën e nxjerrë në Telegram.

Komiteti Hetimor i Rusisë ka dhënë më shumë detaje lidhur me deklaratën e mëhershme ku tha se një kamion që ishte në urë kishte eksploduar.

“Hetuesit e Komitetit Hetimor përcaktuan të dhënat e kamionit dhe pronarit të tij që është banor i Krasnodarit. Në vendbanimin e tij kanë nisur veprimet hetimore. Rruga e lëvizjes së kamionit dhe dokumentacioni përkatës janë duke u hetuar”.