Tragjedia në Indonezi, LA Liga nis ndeshjet me një minutë heshtje

Ndeshjet e javës së 7 dhe të 8-të në La Liga në Spanjë, do të fillojnë me një minutë heshje për nder të viktimave të stampedos në stadium në Indonezi.

“Me këtë gjest, LA LIGA dëshiron të shpreh ngushëllimet e saj për popullin indonezian, veçanërisht për të afërmit e atyre që humbën jetën në tragjedinë në stadiumin e ishullit Java,” thuhet në kumtesën e LA LIGËS.

Kujtojmë se tragjedia ndodhi pas ndeshjes së kampionatit të futbollit në Indonezi, në sfidën mes skuadrës “Arema” dhe “Persebaja” (2:3) në stadiumin “Kanjurukan” në qytetin Malang. Pas fishkëllimës së fundit, sjellja e padisiplinuar e tifozëve u përshkallëzua në trazira, ndërsa një pjesë e tyre kaloi në terrenin e gjelbër, duke u përleshur me forcat policore.

Pas hedhjes së gjësendeve të ndryshme drejt forcave të sigurisë, policia vendosi të përdor shkopinj dhe gaz lotsjellës. Kjo shkaktoi panik në turmën në stadium, e cila filloi të largohet dhe në atë stampedo, jetën kanë humbur 174 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë, janë të lënduar.