Nga Guillaume Ptak “Worldcrunch”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Kiev – Lufta në Ukrainë ka mbërritur në një pikë kthese. Ushtria e Vladimir Putinit ka pësuar dështimin e saj më të rëndë që nga fillimi i pushtimit. Ajo ka përjetuar një kundërsulm të cilin shumë ekspertë e konsiderojnë mjeshtëror, ndaj është e detyruar të tërhiqet dhe t’i lëshojë kundërshtarit të saj territore të gjera që i kishte pushtuar më herët.
Fitorja e rrufeshme që kishte ëndërruar kreu i Kremlinit nuk u realizua kurrë. Humbjet janë të konsiderueshme, dhe aktualisht trupat ukrainase në fushën e betejës tani janë ndjeshëm më të shumta në numër sesa rusët. Më 5 prill presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, parashikoi se në fund të konfliktit, Ukraina do të bëhej një “Izrael i madh”.
Në një intervistë për mediat ukrainase, ai deklaroi në atë kohë: “Në të gjitha institucionet, supermarketet, kinematë, do të ketë njerëz të armatosur”. Problemi i sigurisë kombëtare do të jetë më i rëndësishmi për këtë vend gjatë dekadës së ardhshme. Sipas Zelensky një shoqëri “absolutisht liberale dhe evropiane” nuk do të ishte më në rendin e ditës.
Pasi e ka ndërruar prej kohësh kostumin dhe kravatën me një xhaketë ose një bluzë ushtarake ngjyrë kaki gjatë daljeve të tij publike, Zelensky është bërë padyshim një nga simbolet e këtij militarizimi në rritje të shoqërisë ukrainase. Por presidenti pretendoi se Ukraina nuk do të bëhej një regjim “autoritar”: “Një shtet autoritar do të humbiste ndaj Rusisë. Ukrainasit e dinë se për çfarë po luftojnë”.
Catherine Wanner, profesoreshë e historisë dhe antropologjisë kulturore në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA, bie dakord me këtë pikëpamje: “Fakti që Putin e ka shndërruar Rusinë në një lloj Koreje të Veriut gjigante, e ka forcuar vendosmërinë e ukrainasve për të mbrojtur institucionet e tyre demokratike”.
Ndërsa krahasimi me Izraelin, një vend gjeografikisht i vogël, me vetëm 9 milionë banorë, mund të duket befasues, ai nuk është i pamerituar. Ish-ambasadorit amerikan në Izrael, David Shapiro, shkroi në prill se të dyja vendet përballen me kërcënime të ngjashme për sigurinë dhe sovranitetin e tyre kombëtar, dhe që të dyja kanë popullsi “shumë të mobilizuar”.
Edhe pse është larg propagandës nacionaliste dhe luftënxitëse të Rusisë, kultura ukrainase ndikohet tani nga referencat ndaj luftës dhe ushtrisë. Së bashku me moton tradicionale “Lavdi Ukrainës”, slogani “Slava ZSU” (Lavdi Forcave të Armatosura të Ukrainës) shihet rregullisht në muret e qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin, dhe është bërë një nga thirrjet motivuese të popullsisë ukrainase përballë pushtimit rus.
Në kryeqytetin Kiev është tashmë e zakonshme të hasësh ushtarë me uniformë në rrugë apo dyqane, apo të shohësh para godinave administrative pirgjet me thasët e rërës. Nëpër trotuare, shitësit e suvenireve kanë shkëmbyer medalje dhe posterat sovjetikë me flamujt ukrainas, simbolet e e divizioneve të ushtrisë ukrainase, apo postera që përfaqësojnë garnizonin e guximshëm të Ishullit të Gjarpërinjve për përgjigjen e famshme sfiduese ndaj thirrjes së rusëve për t’u dorëzuar.
Tani shumë qytetarë veshin rroba me ngjyrat e ushtrisë ukrainase ose kanë bërë tatuazhe me tema patriotike. I tillë është rasti i Valery Neyman, një producent i muzikës elektronike, që iu bashkua një njësie të çminimit pranë Kharkiv, në verilindje të vendit.
Menjëherë pas fillimit të pushtimit, Valery bëri në trup një tatuazh të Tryzub, simboli kombëtar i Ukrainës. “Në territoret e pushtuara, rusët i kontrollojnë banorët nëse kanë në trup tatuazhe me tema patriotike, dhe nëse po i vrasin. Unë prandaj e bëra këtë tatuazh”- thotë ai duke buzëqeshur. Ndërkohë lufta ka hyrë edhe në tekstet shkollore.
Andriy Vitrenko, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, thotë se do të bëhen ndryshime në kurrikulën e vitit të ri shkollor. Për shembull, do të shtohet një modul i ri mësimor me titull “Mbrojtja e Ukrainës”, ku fëmijët do të mësojnë të njohin dhe shmangin minat. “Ky është një proces logjik që e ka prekur Ukrainën që nga viti 1989. Militarizimi nuk është befasues, duke pasur parasysh agresionin rus dhe humbjen e konsiderueshme të jetës njerëzore dhe infrastrukturës që Ukraina ka pësuar tashmë”- shprehet Wanner.
Ndërkaq Valeri Zaloujny, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, thotë se 9.000 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftime që nga fillimi i pushtimit. Thuhet se viktimat në radhët e civilëve janë dukshëm më të larta, ndërsa qytete të tëra, si qyteti-port i Mariupolit, janë rrafshuar nga bombardimet ruse.
Sipas vlerësimeve më të fundit të OKB-së, rreth 13.500 civilë ukrainas janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës. Me shumë gjasa kjo shifër e nënvlerëson realitetin, pasi autoritetet ukrainase vlerësojnë se vetëm në Maruipol vdiqën 21.000 banorë gjatë rrethimit nga rusët.
Përballë mizorive të kryera nga forcat pushtuese ruse, nuk është e çuditshme që ukrainasit u tubuan në mbështetje të ushtrisë së tyre. Sipas një studimi të kryer në shkurt nga Grupi Sociologjik Rating në Ukrainë, më shumë se 75 për qind e banorëve të Ukrainës Perëndimore dhe Qendrore thanë se u besonin forcave të armatosura të Ukrainës.
Me afro 200.000 ushtarë, ushtria ukrainase ishte e dyta më e madhe në Evropë në prag të pushtimit. Shumë ukrainas kanë të paktën një anëtar të familjes që shërben në ushtri. Kjo shifër është vazhdimisht në rritje, pasi mijëra qytetarë iu bashkuan forcave të mbrojtjes territoriale që në ditët e para të luftës.
Kështu, mbrojtja territoriale ka aktualisht 115.000 trupa, duke e bërë atë njësinë më të madhe të forcave të armatosura të Ukrainës. Shumica e anëtarëve të Forcave të Mbrojtjes Territoriale aplikuan midis 24 dhe 26 shkurtit 2022, tha për të përditshmen franceze Les Echos, Volodymyr Dehtyarov, kreu i marrëdhënieve me publikun në Komandën e Forcave të Mbrojtjes Territoriale.
“Numri i personave që janë paraqitur në qendrat e rekrutimit është i vështirë të llogaritet me saktësi, por vlerësojmë se është dyfishi i numrit të përgjithshëm të të rekrutuarve”- shton ai. Simon Franck, një sipërmarrës francez që punon në Ukrainë, e ka përjetuar këtë ndjenjë. “Në ditët e para pas fillimit të pushtimit rus, disa nga punonjësit e tij u nisën për në front. Ata janë dizajnerë grafikë, zhvillues të faqeve në internet apo menaxherë të burimeve njerëzore. Ata nuk kanë përvojë ushtarake, por donin të luftonin”- thekson ai.
Kjo tendencë konfirmohet nga Dehtyarov, për të cilin përbërja e Forcave të Mbrojtjes Territoriale është përfaqësuese e shoqërisë ukrainase: “Njësitë në qytetet e mëdha përbëhen nga biznesmenë, punëtorë, mësues, drejtues, ndërsa njësitë e formuara në zonat rurale janë më shumë të përbëra nga fermerë, tregtarët, e kështu me radhë”.
Mijëra qytetarë ukrainas kanë ndjekur kurse trajnimi për mbrojtjen, si ato në fillim të marsit në Institutin Politeknik të Odesës. Me 1.3 milionë armë në qarkullim në vend dhe me zgjerimin e vazhdueshëm të forcave të armatosura, vlerësohet se 1 në çdo 4 ukrainas ka tani qasje në një armë zjarri, duke e bërë Ukrainën një nga vendet më të armatosura në botë.
Kur u pyet për rreziqet e mundshme që lidhen me këtë, Dehtyarov është i prerë: “Të jemi të qartë, ushtarët janë personel i ushtrisë ukrainase. Çdo armë regjistrohet dhe i caktohet një ushtari specifik. Kur ai nuk është në detyrë, armët mbahen në magazina”.
Për të, rreziku i paraqitur nga 130.000 “qytetarë të përgjegjshëm që kanë mësuar të përdorin një armë zjarri, është i parëndësishëm në krahasim me atë që paraqesin miliona mina dhe eksplozivë të ushtrisë ruse”. Edhe David Shapiro beson se militarizimi i popullsisë si në Izrael, është larg të qenit një kërcënim për demokracinë ukrainase, por një kusht thelbësor për mbijetesën e tij.
Por Catherine Wanner nuk e ndan këtë mendim. Ajo thotë se konfliktet “mund dhe duhet të zgjidhen me dialog”. Për antropologen, ka pak rrezik që Ukraina të bjerë në duart e një junta ushtarake, por ajo pranon se kjo nuk është përgjegjësi e vetme e ukrainasve.
“Edhe nëse Ukraina e çmilitarizon shoqërinë e saj, të njëjtën gjë duhet të bëjnë vendet fqinje si Bjellorusia dhe Rusia. “Do të ishte shumë e vështirë që Ukrainën të krijojë një shtet ligjor demokratik dhe të garantojë liritë civile, nëse vendi nuk ka sigurinë themelore se nuk do të bombardohet më”- thotë ajo.