Shembëlltyra e të dërguarit të fundit të Zotit, në mileniumin e tretë

BASHKIM ALIU

Shembëlltyra e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka qenë figura qëndrore jo vetëm në historiografinë islame, por edhe në atë botërore në përgjithësi. Kjo, ngase rrezet e misionit të të dërguarit të fundit të Zotit, shkëlqyen në mbarë botën, e shkrinë akullin e injorancës, arrogancës dhe nëpërkëmbjes së nderit e dinjitetit njerëzorë i cili e kishte bllokuar tërë botën.
Por, jo vetëm kaq, mesazhi i të Dërguarit të fundit të Zotit, do të jetë vazhdimisht burim i fuqisë dhe inspirimit të lëvizjes së forcave progresive drejt luftimit të së keqes dhe dukurive negative të karaktereve të ndryshme që do të paraqiten kohë pas kohe në rruzullin tokësor dhe që do ta preokupojnë shoqërinë njerëzore, gjegjësisht e gjithë kjo konfirmon se shembëlltyra e të Dërguarit të fundit të Zotit, do të jetë prezente, edhe atë me të madhe, edhe në këtë milenium, sepse virusi i së keqes vazhdon të shkaktojë epidemi të rrezikshme për njeriun bashkëkohor.
Krahas penave të Islamit, që nuk diskutohet, edhe penat e publicistëve, ideologëve, filozofëve, shkencetarëve e intelektualëve të ndryshëm jo muslimanë në përgjithësi, nuk do të mund të ndalen as në këtë milenium pa thurrur fjalë miradie për këtë figure markante që la gjurmë të thella në historinë e njerëzimit. Ai edhe më tutje do të vazhdojë të paraqesë frymëzim për shumë intelektualë të huaj të cilët gjurmojnë pas së vërtetës, dhe të cilët realisht dhe objektivisht i vlerësojnë sendet.
Shembëlltyra e të Dërguarit të fundit të Zotit, do të jetë prezente edhe në këtë milenium, sepse mesazhi dhe personaliteti i tij cilësohet me nji varg veçorishë që ia sigurojnë këtë pozitë të lartë, e që ne do të kishim theksuar si vijon:

1-REFORMA:

Mesazhi dhe personaliteti i të Dërguarit të fundit të Zotit, Muhamedit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, karakterizoheshin apriori me reformimin, gjegjësisht me ardhjen e tij i dërguar i Zotit në botë.
I Dërguari i Zotit, Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, bëri reforma rrënjësore në shoqërinë njerëzore, edhe atë, jo vetëm për kohën dhe vendin ku u dërgua, por reformat e tij do të jenë valide për tërë kohërat dhe vendet.
Kjo, ngase i Dërguari i Zotit bëri ndryshime në metodologjinë e të menduarit dhe të gjykuarit, gjë që do të paraqesë tharm të reformave dhe ndryshimeve në çdo kohë. Prej njeriut që ishte mësuar vetëm të imitojë doke dhe mite në mënyrë të verbër, u formua personaliteti kritik i cili kërkon logjikshmërinë e një besimi dhe arsyen e dogmave që imponohen. Prej personalitetit i cili përkulej para çdo fenomeni dhe objekti të hyjnyzuar, formohet personaliteti kritik i cili qanë e qeshë në të njejtën kohë kur i kujtohet se çfarë absurditeti ka bërë me përkuljen para gurëve e zotrave të sajuar prej ushqimeve të cilat paraqisnin burim furnizimi në rast skamjeje e thatësie. Me nji fjalë, mesazhi i tij e grushtoi logjikën e imponimit dhe imitimit absolut, që paraqiste parim themelor të mentalitetit të njeriut të injorancës – xhahilijetit, edhe atë, jo vetëm në Arabi, por edhe më gjërë.
Rruga e njejtë tentohet të trasohet edhe sot nga fuqitë e mëdha, të cilat duke dominuar mbi popujt e tjerë në të gjitha fushat, edhe atë: ekonomike, politike, informative, etj, tentojnë t’ua imponojnë gjeneratave të reja maksimën se çdo gjë që vjen prej tyre, është formulë e shpëtimit, pa mos u dhënë rast të mendojnë rreth saj, por zgjedhje të vetme e kanë imitimin, me apo pa dëshirë.Normalisht, sot adhurimi nuk nënkupton atë formë klasike të ritualeve të besimit, por imponohet nënshtrimi formave të caktuara të jetesës, bontonit dhe stilit të sjelljes, etj.
Metodologjia reformuese e të Dërguarit të fundit të Zotit, popujve dhe individëve u len terren të mendojnë rreth fenomeneve dhe proceseve, larg logjikës së imponimit, e me këtë konfirmon se i respekton veçoritë e tyre kulturore dhe aftësinë e tyre për të qenë subjekt i barabartë me të tjerët në formësimin e rendit botëror.

2-INTERNACIONALIZMI:

Mesazhi i të Dërguarit të fundit të Zotit, Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, nuk është i kufizuar në kohë dhe vend, por ai i ka tejkaluar të gjitha këto bariera dhe kufij.
Për atë, duke e shikuar shoqërinë e parë të të Dërguarit të fundit të Zotit, e shohim botën në minijaturë, me racat dhe nacionalitetet e ndryshme: Bilalli përfaqëson Afrikën dhe racën e zezë, Selmani e përfaqëson Persinë dhe civilizimet e vjetra, Suhejbi e përfaqëson Evropën dhe popujt ne saj.
I Dërguari i Zotit, Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, me thëniet e tij i bëri me dije mbarë opinionit botëror, se nuk është i dërguar vetëm për arabët, por ai u dërgua me nji koncept të ri të rregullimit botëror: lidhja në mes njerëzve në bazë të besimit dhe bindjes, gjegjësisht idealeve të përbashkëta, si dhe respektimin e qenies njerëzore si krijesë e Allahut të Madhërishëm, pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare. Për këtë, edhe thoshte: ”Nuk ka dallim në mes arabit dhe jo arabit, të bardhit e të ziut (në aspektin e gjenezës dhe të racës), por vetëm se me devotshmëri”. Po ashtu, thoshte:”Jam i dërguar për çdo racë”.
Në një rast, kur Ebu Dherri, një shok i shquar i të Dërguarit të fundit të Zotit, pati një zënkë me Bilallin, shokun tjetër të njohur të të Dërguarit të fundit të Zotit, i cili qe muezin i tij dhe i cili ishte afrikan, i dërguari i Zotit i tha Ebu Dherrit: ” Ti je njeri i cili vazhdon të ketë një dozë injorance”. Këtë ia tha, sepse Ebu Dherri e nënçmoi Bilallin duke i thënë se ti je bir i një zezakeje.
Kthimi në parimet e idealeve dhe të gjykuarit sipas tyre, janë kërkesa bazë të shoqërisë bashkëkohore, e cila, e zhytur në rendin e ri botëror, u zhgënjye rëndë nga promotorët e motos “nuk kemi miq dhe armiq të përhershëm, por kemi interese të përhershme”, e të cilët, në fakt, nuk synonin asnjë afrim të të gjithëve nën ombrellën e vlerave të përbashkëta, por thjesht, formimin e blloqeve dhe sistemeve me karakter ndërkombëtar, të cilat do t’ua lehtësojnë atyre shfrytëzimin e resurseve të popujve dhe të mirave të tyre.

3-KOMUNIKIMI:

Fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i këtij shekulli, lirisht mund të thuhet, kanë kaluar në shenjë të përsosjes së komunikimit mes njerëzve, gjegjësisht, është konsideruar i suksesshëm ai i cili e ka përvetësuar mjeshtërinë e të komunikuarit, sepse sikur që thonë, bota është shndërruar në një fshat të vogël si rezultat i revolucionit të mjeteve të komunikimit.
Andaj, edhe ky shekull, bile edhe ky milenium, do të kërkojë prej njerëzve që sa më tepër ta përkryejnë artin e komunikimit, që në këtë mënyrë të mundin të venë ura miqësie dhe mirëkuptimi mes vete.
Duke u nisur nga ajo që thamë për këtë shekull, me plotë të drejtë konstatojmë se shembëlltyra e të Dërguarit të fundit të Zotit, do të jetë kyçe edhe në këtë milenium-këtu aludoj në taborrin jo Islam, sepse për muslimanin ndjekja e tij është pjesë e besimit- sepse i Dërguari i Zotit, Muhamedi paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, na mësoi praktikisht si ta përkryejmë këtë art të rendësishëm për kohën tonë.
Që para katërmbëdhjetë shekujve, i Dërguari i Zotit sinjalizoi me veprimet e tij në rendësinë e komunikimit si metodë e kulturuar dhe progressive e plasimit të ideve dhe vënies së raporteve miqësore dhe urave të mirëkuptimit mes njerëzve.
Me këtë rast, do t’i veçojmë vetëm dy raste që të na shërbejnë sa për ilustrim:

a) Korrespodencat me burrshtetasit:
I Dërguari i Zotit, Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, morri një hap të madh, i cili për në atë kohë paraqiste veprim të llojit të vet. Ai iu drejtua me shkresë figurave më eminente të politikës botërore të asaj kohe, ku i ftonte në dialog dhe bashkëpunim, si dhe mirëkuptim për misionin e tij. I ftonte që t’i bashkangjiten iniciativës së re të cilës i printe ai, për thyerjen e barrierave në mes njerëzve, për lirimin e njeriut nga ankthi i besimeve të kota dhe imitimet e verbëra, për të kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë njerëzore dhe luftimin e të gjitha formave të nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor.
Rendi i ri botëror, i ndërtuar mbi parime të shëndosha të besimit, etikës, politikës, ekonomisë dhe shoqërisë, ishte mesazhi themelor dhe programi islam për ardhmërinë e botës dhe llojit njerëzor në përgjithësi. Ai paraqiti opcion të qartë të shpëtimit dhe mëkëmbjes së llojit njerëzor dhe sigurimit të ardhmërisë së tij;

b)Përgatitja e shokëve të vet:
Një prej ndodhive të rendësishme nga jeta e të Dërguarit të fundit të Zotit, e që në fakt manifeston vëmendjen e tij dhe kujdesin e madh ndaj çështjes së komunikimit me njerëz dhe raporteve pozitive me palë të ndryshme, është edhe urdhërimi i tij disa shokë të vet, sahabe, që ta mësojnë shkrim-leximin hebrejisht.
Vetë fakti se i Dërguari i Zotit barti mision me karakter ndërkombëtar, dhe se ishte mjaftë i interesuar që t’u drejtohet njerëzve që flisnin gjuhë të ndryshme, e mbështet konstatimin se prej shokëve të të Dërguarit të fundit të Zotit, pati që mësuan edhe gjuhë tjera të cilat atëbotë ishin zyrtare në arenën ndërkombëtare.
Andaj, kur flitet për të Dërguarin e Zotit, jo vetëm muslimanët që i besojnë atij, por edhe ata që nuk i besojnë atij, kanë çka të mësojnë nga jeta e tij, dhe ka pse të qëndroj shembëlltyra e tij prezente edhe në këtë milenium, në mesin e tyre.

4-MBROJTJA E IDENTITETIT NJERËZOR:

I Dërguari i Zotit, Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, i luftoi energjikisht të gjitha tentimet për vlerësimin e një race ose populli mbi një tjetër, por i bëri me dije njerëzimit se në aspektin e prejardhjes, njerëzit janë të barabartë si dhëmbët e krëhërit, dhe pohoi se nuk ka dallim në mes arabit dhe joarabit, të bardhit e të ziut, pasanikut e të varfërit, etj. Pra, i Dërguari i Zotit, që atëherë e ka luftuar energjikisht sëmundjen e racizmit, e cila sot e kësaj dite e mundon njerëzimin.
Për këtë, njeriu i mileniumit të tretë do ta shohë në shembëlltyrën e të Dërguarit të Zotit shpëtuesin e njerëzimit nga nga humnera e nënçmimit të dinjitetit njerëzor dhe nga mëkati i dallimit të njerëzve.