Sa i moralshëm është bashkëpunimi pas akuzave të forta që keni bërë ndaj njëri-tjetrit? Berisha: Politika s’ka interesa personale
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL-Ilir Meta kanë folur para gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për zgjedhjet lokale të 2023-t.
Të pyetur nga gazetarët se sa e moralshme është kjo marrëveshje në një kohë kur Berisha i kujtonte Metës ngjalat, dhe ky i fundit i kujtonte ish-kryeministrit se nuk e jepte më dorëheqjen për djalin e tij, Meta tha se është koha të fokusohemi tek marrëveshja, ndërsa Berisha theksoi se në politikë nuk ka interesa personale.
Pyetje: Sa e moralshme është aleanca juaj, kur në 25 prill PD fajësonte anëtarët e LSI për humbjen në 25 prill? Sa e moralshme është një bashkëpunim mes jush kur ju i kujtonit zotit Meta ngjalat, ndërsa ai thoshte se nuk jepte dorëheqjen për djalin tuaj?
Meta: Marrëveshja është ajo që ju intereson qytetarëve, dhe marrëveshja është dhënia fuqi atyre, përmes referendumit, primareve dhe shndërrimit të Këshillave Bashkiak në parlamentet e tyre. Marrëveshje që i shërben vendosjes së pluralizmit politik në vend.
Berisha: Se çfarë thoshte deputeti Basha i more me vete të gjitha ato që thoshte, unë miqësisht do ju sugjeroja mos i nxirrni nga arkivat ato më. E vërteta është se sa herë ta komentosh këtë marrëveshje do gjesh se kjo është marrëveshja e shkallmimit dhe regjimit autoritar të Ramës dhe groposjes politikisht një njeriu që shok për negativitete ka vetëm veten qëkur është qeverisur Tirana për herë të parë nga shqiptarë dhe gjer sot.
Pyetje: Po deklarata e Metës t’i arkivojmë?
Berisha: Në politikë nuk ka interesa personale, ka interesa të përgjithshme. Unë mendoj se interesi i përgjithshëm i kësaj marrëveshje është i jashtëzakonshme.