Avioni privat i Kim Kardashian është bërë i njohur për kritikat e fundit se është përdorur për të bërë udhëtime më pak se 15 minuta. Tani është kthyer në qendër të vëmendjes, sepse vetë Kim ka zbuluar një listë me rregulla mjaft strikte për të ftuarit që hipin në avionin e vogël 150 milionë dollarë.
Në një episod të fundit të serialit televiziv të transmetuar në Hulu, The Kardashians, Kim u filmua duke biseduar në një video-telefonatë me motrën e saj Kendall Jenner para udhëtimit të tyre në Milano për javën e modës.
Duke përditësuar detajet në lidhje me nisjen, Kendall tha se do të bënte një seancë nxirjeje me spray një natë përpara se të fluturonte me Kim Air. Në bisedën absurde, Kim u shpreh e tronditur duke iu përgjigjur motrës së saj: “Një nxirje me spray para se të fluturosh në avionin tim?! I keni parë sediljet prej kashmiri? Nuk mund të nxihesh me spray disa orë para se të ulesh në sediljet e mia prej kashmiri.”
Megjithatë, kjo bisedë mes motrash nuk duket se ka qenë një problem i madh për Kim. Ajo vazhdoi të bisedonte, duke e pyetur Kendall-in se çfarë ushqimesh donte për udhëtimin dhe duke treguar se kishte dhe një frigorifer në avion.
Kjo nuk është hera e parë që Kim Kardashian zbulon rregullat që ajo u vendos të ftuarve për të fluturuar me avionin e saj privat Kim Air.
Në një episod të vjetër të serialit, ajo u kishte ofruar fansave një tur të plotë në avion, duke u treguar se e kishte ndaluar përdorimin e këpucëve në bord.
“Askush nuk do të mund të veshë këpucë në avion, por unë do t’u jap pantofla të personalizuara SKIMS për të gjithë të ftuarit që udhëtojnë me mua”.
Gjatë turneut Kim ndau rregulla të tjera me shaka: “Mos merrni frymë dhe mos prekni asgjë”.