Osmani i ankohet Escobarit se Serbia po refuzon shpërbërjen e strukturave ilegale e kriminale në Kosovë (VIDEO)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se me të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë folur për dialogun Kosovë-Serbi, por edhe për çështje të tjera që lidhen me vendin tonë.
Ajo fillimisht i uroi mirëseardhje Escobarit dhe delegacionit amerikan, duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovë.
“Kjo mbështetje e fuqishme dëshmohet sa herë që Escobari e viziton vendin tonë, e njëkohësisht është rikonfirmuar edhe në diskutimet që kisha me presidentin Joe Biden dhe Antony Blinken gjatë pritjes së organizuar për liderët në New York. Historia dëshmon se angazhimi i ShBA-së në Kosovë e rajon është i pazëvendësueshëm dhe ekzistencial”.
“Sa më shumë angazhim të kemi nga aleati ynë më i fuqishëm, aq më të mira janë rezultatet sa i përket paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. Për ne është e rëndësishme mbështetja e rrugës demokratike dhe euroatlantike të Kosovës nga aleatët tanë amerikanë. Në këtë drejtim vura në pah edhe përkushtimin dhe punën e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për t’i ndërmarrë hapat konkretë për anëtarësim konkret në strukturat atlantike”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.
Pas takimit me Escobarin, Osmani tha se Kosova është e gatshme ta rrisë edhe më shumë angazhimin dhe përkushtimin në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut.
“Diskutuam për nevojën për të ecur përpara në procesin e dialogut. Kam ritheksuar se Kosova është dhe gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces e poashtu është e gatshme ta rrisë edhe më shumë angazhimin e saj dhe gatishmërinë e saj në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut”, u shpreh presidentja Osmani.
Presidentja ndër të tjera tha se me Escobarin ka shprehur shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë.
“Shfrytëzova rastin për ta shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë dhe të frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga qeveria e ShBA-së. Jo vetëm që Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë këto struktura kriminale, por në fakt vazhdojnë t’i mbështesin financiarisht dhe politikisht. ShBA-ja s’ka aleat më të madh se Kosovën, ne mund të jemi vend i vogël, por duke punuar për së afërmi me partnerët tanë amerikanë do të vazhdojmë të përparojmë me të arritura të mëdha”, theksoi presidentja Vjosa Osmani gjatë konferencës për media me Escobarin. /Klankosova.tv