Pas tri fitoreve radhazi, Manchester City është ndalur me barazim nga Copenhagen, në ndeshjen e katërt të Grupit G në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Parken”, përfundoi baras dhe pa gola.
“Qytetarët” shënuan gol përmes Rodrit në minutën e 11-të, por goli u anulua nga VAR-i pasi që u konfirmua se Riyad Mahrez kishte luajtur me dorë para se të asistonte te spanjolli.
Mahrez, në minutën e 25-të e shpërdoroi një rast të artë për të shënuar. Algjeriani dështoi nga pika e bardhë.
Gjërat u vështirësuan për skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola në minutën e 30-të, pasi Sergio Gomez u përjashtua direkt me karton të kuq.
Mbrojtësi shkaktoi faull ndaj Hakon Haraldssonit si lojtar i fundit.
Pavarësisht barazimit, Manchester City mbetet lider në grup me 10 pikë – kurse Copenhagen momentalisht ndodhet në pozitën e tretë me 2 pikë.