Gazetari nuk përmbahet, shpërthen në lot gjatë intervistës me Messin – argjentinasi e ngushëllon me përulje

Një gazetar argjentinas është përlotur teksa ka rrëfyer se “ëndrra” e tij për të intervistuar Lionel Messin ishte realizuar.

Personalitetit televiziv argjentinas, Pablo Giralt, 48 vjeç, iu dha shansi të fliste këtë javë me njërin nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave për mediumin DirecTV Sports – dhe ai e shfrytëzoi rastin me të dyja duart.

Gjatë bisedës me Messin, i cili foli për shanset e Argjentinës në Kupën e Botës, Giralt me plot emocione shpërtheu në lot kur iu bashkua ish-sulmuesit të Barcelonës në divan.

 

“Kam ëndërruar ta bëj këtë gjatë gjithë jetës sime, por kurrë nuk kam menduar se do të kisha fatin që të mund t’ju shoqëroja me historinë time, me dashurinë time. Ju falënderoj me gjithë zemër”, ka thënë Giralt.

Messi u befasua qartë nga komentet. Ai u mbështet në divan dhe buzëqeshi përpara se përfundimisht ta ngushëllonte Giraltin duke i prekur dorën.

“Faleminderit shumë. Jam i emocionuar që mund të arrij njerëz të tillë. Ka shumë njerëz në Argjentinë apo në përgjithësi në botë që gjithmonë më mbështesin, më admirojnë, nga futbolli dhe nga çfarë jam unë si person. Jam mirënjohës për dashurinë që marr”, u përgjigj Messi pas disa sekondave.

Pamjet janë bërë virale në internet, me fansat që komentojnë reagimin e ‘përulur’ të Messit ndaj shpërthimit të emocioneve të gazetarit argjentinas.