E konfirmuar: Pogba nuk do të jetë pjesë e Francës për Botërorin e këtij viti

Paul Pogba do të mbetet jashtë Kampionatit Botëror “Katar 2022”, i cili do të zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor.

Mesfushori u rikthye te Juventusi si lojtar i lirë gjatë verës, por nuk ka regjistruar asnjë ndeshje zyrtare këtë sezon shkaku i lëndimit.

Pogba iu nënshtrua një operacioni të meniskut në fillim të shtatorit dhe që nga ajo kohë ka punuar për rikuperimin e tij, por pësoi një pengesë gjatë stërvitjes në Continassa javën e kaluar.
Agjentja, Rafaela Pimenta, ka konfirmuar tashmë mungesën e 29-vjeçarit për në Kampionatin Botrëror.

“Pas vizitave të djeshme dhe të sotme është jashtëzakonisht e dhimbshme të njoftoj se ai do të ketë ende nevojë për rehabilitim pas operacionit në gju në fillim të shtatorit. Për këtë arsye Paul nuk do të jetë në gjendje të jetë pjesë e kombëtares franceze në Katar”, tha ajo për “Telefoot”.

Paul Pogba pritet të rikthehet në aksion në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.