Zyrtare, ky është roli i Jonida Vokshit në “Big Brother VIP Kosova”

“Big Brother VIP Kosova” ende pa nisur, prej kohësh ka krijuar një “lum” raportimesh e spekulimesh.

Në median online, në baza ditore përfliten emra nga më të ndryshëm e krijohen plot hamendësime.

Së fundmi, ishte një postim i aktores dhe prezantueses Jonida Vokshi ku i “përgjigjej” thirrjes së produksionit që bëri xhiron në rrjet.
Prezantuese? Opinioniste? Banore?

Teksa koha e nisjes po afron, befasitë e këtij produksioni që do ketë përplot të papritura e risi, po zbulohen një nga një.

Tashmë, është zyrtare! Jonida Vokshi, një nga figurat më popullore të jetës publike andej e këndej kufirit, i bashkëngjitet “Big Brother VIP Kosova”!

Vokshi do të paraqitet në skenën gjigande të “Big Brother VIP Kosova”, përkrah prezantuesit zyrtar të këtij formati televiziv, Alaudin Hamitit, ndërsa pritet që dyshja e famshme të drejtojnë bashkë, netët “prime”.

Nisur nga eksperienca e tyre e gjatë në ekran, Vokshi si njëra ndër vajzat më të bukura të ekranit dhe Hamiti si një nga prezantuesit më me nam në trojet shqipfolëse, pjesa e moderimit të këtij formati, duket të jetë në duar të sigurta.

Duke folur për të parën herë mbi eksperiencën, Jonida zbuloi më shumë detaje për momentin kur mori propozimin.

“Ftesën për të qenë pjesë e projektit si fillim e mora nga telefoni pasi ndodhesha në Tiranë. I hipa makinës menjëherë dhe u nisa drejt Prishtinës. E kam pritur me shumë qejf, dëshirë dhe vlerësim këtë lajm. Jam e nderuar të jem pjesë e këtij projekti kaq të madh që sigurisht do të shënjojë një pikë të rëndësishme në karrierën time. Pritet që të jetë një super spektakël që do të bëhet pjesë e çdo familjeje shqiptare deri në javën e fundit”, u shpreh ajo.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Alaudini dhe Jonida shfaqen bashkë në një eksperiencë televizive.

Ndryshe, përgatitjet janë drejt përfundimit dhe spektakli “Big Brother VIP Kosova” pritet që shumë shpejt të nisë rrugëtimin për audiencën e gjerë kudo ku flitet shqip, përmes Klan Kosova dhe ArtMotion.

Surprizat nga ky mega produksion i cili vjen për të parën herë në Kosovë do të vazhdojnë. Do t’i themi me kohë, secilën prej tyre.