Shkruan: Florim Zeqa 26.09.2022
Edhe përgjatë viteve të pushtimit klasik të Serbisë, shpresa e shqiptarëve për liri dhe pavarësi ishte e madhe, e tillë ishte edhe gjatë luftës çlirimtare! Shpresa e madhe e shqiptarëve të Kosovës vazhdoi edhe në vitet e para të pasluftës deri më 17 shkurt 2008. Pas kësaj date fillon zbehja e shpresave të qytetarëve për jetë në Kosovë.
Pse?
Ndodhi kështu, jo pse shqiptarët nuk ju gëzuan pavarësimit të vendit, madje, kjo ishte dita më e shënuar dhe më e gëzuar në historinë e re të shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, zhgënjimi i qytetarëve ndodhi për shkak të qeverisjeve të papërgjegjshme, të cilat më shumë u përkujdesen për veten e tyre sesa për mirëqenjen e qytetarëve.
Pavarësisht ndërrimit të shpeshtë të qeverive, qasja qeverisëse nuk ndryshoj gjë për të mirë, madje viteve të fundit kemi pasur degradim të vlerave qeverisëse në venditn tonë. Në secilën qeveri kemi pasur vjedhje dhe zhvatje milionshe të buxhetit të shtetit pikërisht nga liderët shtetërorë si gardian të parë të arkës dhe pasurive shtetërore, për të vazhduar me ministrat, zv.ministrat, deputetët, stafi diplomatik pa i anashkaluar sekserët e tyre në Diasporë.
Vjedhja dhe zhvatja permanente e shtetit ka ndodhur edhe në pushtetin lokal, ku kryetarët komunal përmes njerëzve të vet të vendosur në borde dhe agjensione i përvetësuan pronat komunale për vete dhe familjarët e tyre, i fituan milionat përmes tenderëve një burimor për kompanitë e afërta me ta.
Asnjë projekt nëpër komunat e Kosovës nuk është realizuar pa ndikimin e nivelit qendror, përkatësisht i bashkëpunimit të krimit të organizuar mes dyja niveleve të qeverisjes, qoftë ai projekt i vogël apo i madh ndërtimor, projekt kanalizimi apo ujësjellësi, ndërtim shkolle apo objekti më madhor universitar, qofshin dhjetra apo qindra kilometra të shtrimit të alfaltit në zonat rurale e të mos flasim për ndërtimin e autostradave me koston më të lartë në rajon!
Hipërbolizimi i kostos së projekteve zhvillimore të vendit askund nuk është në përputhje me koston reale të ndërtimeve! E gjithë kjo është bërë dhe vazhdon të bëhet për zhvatje dhe përvetësim të mjeteve të ndara nga buxheti i shtetit, nga i cili përfitojnë pushtetarët e nivelit qendror dhe lokal, kompanitë e familjarëve apo njerëzve të afërt me pushtetarët e të dyja niveleve të qeverisjes.
Si rezultat i kësaj zhvatje sistematike u pasuruan një grup i caktuar i njerëzve në Kosovë, por në të njëjtën kohë u varfëruan shumica e qytetarëve!
Thyerja e shpresave dhe zhgënjimi i qytetarëve vazhdoi duke u rritur nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, nga rënja e një qeverie dhe ardhja e tjetrës në pushtet, ngase asnjëra qeveri nuk u muar me problemet reale të qytetarëve, saqë tek këta të fundit (qytetarët) është krijuar bindja sipas maksimë popullore “shko njëri hajde tjetri, më i zi i riu se i vjetri”!
Që i bie, se qytetarët e vendit e kanë humbur besimin në të gjitha partitë ekzistuese dhe pushtetet që derivojnë prejt tyre. Qytetarët duan ndryshim real dhe substancial, e duan një alternativë ndryshe qeverisëse e cila në plan të parë e ka interesin e popullit dhe të ardhmen e shtetit, përkatësisht zhvillimin ekonomik dhe mirëqenjen e qytetarëve.
Nëse vazhdohet edhe më tutje me këtë klasë politike dhe më këtë mentalitet qeverisës, jo vetëm se do të kemi rënje të fuqisë elektorale në Kosovë, liderët e partive aktuale do të mbetën në Diasporë në kërkim të votës së mërgimtarëve, ngase në Kosovë do të mbeten pa mbështetje elektorale. Rënja e fuqisë elektorale është produkt i dështimit të klasës aktuale politike në njërën anë dhe e vetëdijësimit të popullatës në anën tjetër.
Zbrazja në heshtje e Kosovës dhe rritja enorme e mërgatës tonë në shtetet evro-perëndimore është pasojë e kësaj klase politike pa dallim pushtet dhe opozitë, për shkak se edhe po deshtëm t’i dallojmë nga njëra-tjetra këto parti e kemi të vështirë për shkak të ngjashmërisë dhe dëmëve të përbashkta që i shkaktuan shtetit dhe qytetarëve.