Dani Alves ka folur edhe njëherë tjetër për rivalin e tij të dikurshëm, Cristiano Ronaldon.
Braziliani e vlerësoi lartë portugezin, teksa nuk hezitoi të thotë se ai e do ish-sulmuesin e Real Madridit.
“Unë e dua Cristianon. Tani që nuk jemi më në Barcelonë dhe Real Madrid, mendoj se mund ta them, sepse gjithmonë më dukej sikur nuk mundem. Cristiano është një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne se çfarë mund të bëhet. Cristiano është një shembull për të gjithë ne që me punë të palodhur mund të konkurrosh me më të mirët. Unë kam shumë respekt për të dhe kam pasur rastin t’ia them këtë”, tha ai në një intervistë për “Marca”.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës tregoi një situatë që kishte ndodhur në dhomat e zhveshjes gjatë periudhës së rivalitetit të fortë mes Real Madridit dhe Barcelonës.
“Për shkak të rivalitetit [ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës], kishte raste kur unë shkoja për ta përshëndetur dhe ai nuk më përshëndeti. Por, si mund të mos respektoj një djalë që ka arritur gjithçka bazuar në punën e palodhur dhe duke vënë zemrën dhe shpirtin në të? Unë identifikohem me të, sepse gjithçka që kam bërë në jetën time është e bazuar në këtë”, tha 39-vjeçari.
I pyetur për krahasimin mes Ronaldos dhe Messit, Alves dha një përgjigje që në fakt duke befasuese për shumëkënd.
“Nëse e krahasoj, si lojtar jam më afër me Cristianon sesa me Leon, për shkak të punës, jo për shkak të talentit, sepse Leo është një talent i lindur. Ai ka lindur me talentin për të luajtur futboll dhe për të qenë në një botë tjetër që vetëm ai mund ta arrijë”, deklaroi Dani Alves, i cili tani aktivizohet te skuadra meksikane, Unam Pumas.