Rama “rrezikon” sërish në deklarata kundër Rusisë: Putin po bën gjithçka për të krijuar një fitil të ri
Në bashkëbisedim me të dërguarin e prestigjiozes Der Spigel, kryeministri Rama nuk e ka fshehur shqetësimin për rrezikun që i vjen paqes në Ballkan nga kërcënimi rus.
Rama është shprehur se Rusia do të ishte e kënaqur nëse në Ballkan do të kishte konflikt duke shtuar se ata shpesh e përmendin Kosovën dhe nxisin probleme për të krijuar një fitil të ri.
“Rusia do të ishte e kënaqur nëse diçka do të lëvizte në drejtim të konfliktit në Ballkan. A keni dëgjuar sa herë Putini përmend Kosovën në fjalimet e tij? “Përsërit vazhdimisht: “Kosovë, Kosovë, Kosovë”. Shefi i Kremlinit nxit “problemet më të dhimbshme nga të gjitha të pazgjidhurat” në Ballkan dhe bën gjithçka për të krijuar një fitil të ri”, është shprehur Rama.
Kujtojmë që më herët, gjatë punimeve të Forumit Strategjik të Bledit 2022, i gjendur përpara pyetjes se çfarë qëndrimi do të mbajë përballë ofensivës ruse, duke marrë në konsideratë edhe arrestimin e dy rusëve që tentuan të futeshin në uzinën e armëve në Gramsh, Rama tha se Shqipëria nuk ka nevojë për Rusinë.
Ai theksoi se Shqipëria është shumë më pak e varur nga Rusia për gaz, ndryshe nga ç’ndodh me Evropën apo dhe Serbinë.
“Shqipëria është unike se nuk ka gaz, nuk ia kemi nevojën Rusisë. Historia jonë ka qenë e tillë që ne nuk kemi asnjë lloj ndjesie ndaj Rusisë, sepse në perandorin sovjetike, Stalini u rrëzua me hijeshi, ndërkohë e mbajtëm edhe pas rënies së Murit të Berlinit. Ne jemi 100% me energji të përtëritshme. Ne jemi të lumtur kur Zoti qan, sepse ka burime uji”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Forumin Strategjik të Bledit 2022.
Pozicioni që ka Vuçiçi mes BE dhe Rusisë është mirëkuptues, kjo për shkak të historisë dhe mbështetjes që po tregon kjo e fundit duke e furnizuar Beogradin me energji dhe gaz. Kjo dhe për faktit se opinioni publik serb ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri apo në vendet e tjera në Ballkan, e mbështet me shumicë dërrmuese ndërhyrjen ruse në Ukrainë.
“80% e serbëve ortodoksë mendojnë pozitivisht se Putini thjesht po i tregon Perëndimit topat në Ukrainë… nëse mund ta themi kështu. Në Shqipëri, nga ana tjetër, miratimi për veprimet e Putinit ishte vetëm 0.7%. Simpatitë për Moskën janë “të forta” në Serbi, madje “shumë të forta” në Republikën Srpska, ku jetojnë shumica e serbëve të Bosnje-Hercegovinës. Në Mal të Zi, nga ana tjetër, ka një përçarje të thellë mes popullatës malazeze dhe serbe: “Duhet të jemi të vetëdijshëm se ky ndikim mund të kthehet në diçka të tmerrshme”, tha Rama për prestigjiozen Der Spigel.
Pavarësisht kësaj Rama mbetet i bindur se kërkohet bashkëpunim rajonal nëse duam të ruajmë paqen dhe të tejkalojmë plagët e historisë së luftërave.