I kënaqur me lojën por jo edhe me rezultatin. Ky është qëndrimi i trajnerit të Shkëndijës, Qatip Osmani pas barazimit 0:0 me Shkupin në Tetovë. Kuqezinjtë dominuan dhe krijuan shanse, por i disponuar për lojë ishte portieri i Shkupit Naumovski që me disa intervenime bravuroze mbrojti ekipin e tij nga humbja.
….portieri mysafir “vjodhi” fitoren….
Osmani: “Pajtohem me këtë konstatim, dominuam gjatë 90-të minutave duke krijuar shumë raste si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Më vjen keq që s’fituam, pasi mendoj se Shkëndija meritoi tre pikët, por megjithatë kampionati është i gjatë dhe duhet të vazhdojnë të shohim përpara“.
….çka i pëlqeu dhe çka nuk i pëlqeu….
Osmani: “Në rradhë të parë më pëlqeu agresiviteti që kishim edhe në defanzivë, pasi për fazën sulmuese e theksova se krijuam edhe disa raste përmes kombinimeve. Ajo që nuk më pëlqeu është realizimi, sepse mungesa e realizimit në këtë ndeshje u tregua si problem. E pamë se Shkupi mbroheshte me shumë lojtarë dhe në situata të tilla detyroheshim që të kërkojmë golin me gjuajtje nga distanca apo depërtime një ndaj një“.
….mbështetja e publikut….
Osmani: “Jam i lumtur që në kthimin tim kishte një atmosferë që vetëm këtu në Tetovë tifozët e Shkëndijës dhe “Ballistët” dijnë ta krijojnë. Prandaj më vjen keq që s’fituam sepse ekipi me atë çka dha e meritoi fitoren. Me këtë rast tifozëve ju premtoj se Shkëndija sërish do të jetë ajo Shkëndijë që të gjithë e dëshirojmë“.