Eshref Ymeri
Në numrin e djeshëm (15 shtator) të këtij Portali, lexova analizën e Pirro Priftit, me titull “100 vite më parë në Berat. Kongresi i parë i Autoqefalisë”. Në analizën e vet ai ndalet edhe në Kongresin e dytë ortodoks që u zhvillua në Korçë nga data 16 deri më 29 qershor 1929. Siç dihet, në atë Kongres u miratua Statuti përfundimtar i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili shërbente si gur themeli i pavarësisë së saj. Pirro Prifti citon artikullin 16 të atij Statuti. Ai shkruan:
“Një artikull i veçantë përcaktoi pavarësinë e kishës në mënyrë të prerë: Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit… duhet të jenë prej gjaku e gjuhe shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë shqiptare”.
Analizën e vet, Pirro Prifti e mbyll me renditjen e emrave të Kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë prej vitit 1921 deri në vitin 2022. Janë gjithsej gjashtë kryepeshkopë. Pesë të parët, në përputhje me Statutin e vitit 1929, janë shqiptarë me gjak (prejardhje), gjuhë dhe nënshtetësi. Kurse i gjashti, Janullatosi, me gjak dhe gjuhë është grek, kurse shtetësinë shqiptare ia dha ish-presidenti Ilir Meta, servili kurrizshtruar i shovinizmit grekokaragjoz dhe i kishës shoviniste greke, i dy armiqve të betuar tradicionalë të kombit shqiptar. Dhe vendimin për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Janullatosit, ish-presidenti Ilir Meta e mori jo rastësisht, pikërisht më 24 dhjetor 2017, për të fyer 100 vjetorin e përkujtimit të figurës së ndritur të nacionalizmit shqiptar, të ortodoksisë shqiptare dhe të mbarë kombit shqiptar, Atë Stath Melanit, ish-pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit, luftëtarit të vendosur të përdorimit të gjuhës shqipe në liturgjinë ortodokse, të cilin, paraardhësit e Janullatosit, banditët e ortodoksisë greke, armiqtë e tërbuar të shqipes sonë hyjnore, e masakruan dhe e vranë barbarisht më 24 dhjetor 1917.
Po se mos ishte vetëm Atë Stath Melani që u vra aq barbarisht nga paraardhësitë barbarë të Janullatosit, për të cilin shqiptaro-amerikani Gary Kokalari ka thënë se “është kolonel i shërbimit sekret grek” (Gazeta “Shekulli”, 06 qershor 2006).
Edhe Papa Kristo Negovanin, Naum Veqil Harxhin, Pandeli Sotirin, Anastas Kulluriotin, Petro Nini Luarasin, deri edhe Aristidh Kolën, na i vrau helmi, thika dhe pushka e kishës shoviniste greke.
Avokati Ilir Malindi, një intelektual i njohur për brumosjen e thellë prej atdhetari shembullor, në kujtimet e veta për Aristidh Kolën, shkruan:
“Unë pata rastin që ta vizitoja të madhin Aristidh Kola në ditët e fundit të jetës së tij, në spitalin e Athinës “Evangjelizmos” dhe pashë gjendjen e tij të pashpresë… I dhashë kurajë, duke i thënë se do të shërohej shumë shpejt… Ai, me trishtim dhe krenari të njëkohshme,.. tha këto fjalë:
“Ju lutem, mos ushqeni asnjë iluzion. Mua më vranë dhe kështu kanë vepruar edhe me dy kryetarë të tjerë të Shoqatës së Shqiptarëve “Marko Boçari”, të cilët vdiqën, edhe këta nga “leuçemia”. Këto fjalë ua kam thënë edhe miqve të tjerë të mi”” (Citohet sipas: Ilir Malindi. “Aristidh Kolën e vranë shërbimet sekrete greke”. Faqja e internetit “Al in Sweden”. 27 tetor 2015).
Pirro Prifti është një doktor i njohur në fushën e mjekësisë dhe të publicistikës. Normalisht, në analizën e vet, duke renditur emrat e Kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse Shqiptare, duhej të theksonte se pesë të parët qenë emëruar në përputhje me artikullin 16 të Statutit të saj, të aprovuar në Kongresin e vitit 1929, kurse me emërimin e Janullatosit në krye të saj, si Kryepeshkoip, ai Statut është shkelur rëndë.
Këtë gjë Pirro Prifti nuk e thotë, se ka qejf të bëjë një shaka serioze me lexuesit e këtij Portali: ua prezanton Janullatosin si shqiptar rrënjës, me gjak dhe me gjuhë. Sigurisht që tallet ditën në drekë, duke menduar se ka të bëjë me lexues budallenj, se, me sa duket, zbaton misionin që i ka ngarkuar Janullatosi për të luajtur një komedi të tillë.
Ai Statut domosdo që është shkelur rëndë, se, që kur Janullatosi mori postin e Kryepeshkopit në vitin 1992, pas tradhtisë së Ramiz Alisë në takimin që pati me Micotaqisin në Tiranë më 13 janar 1991, takim, në të cilin, me kërkesën këmbëngulëse të Micotaqisit, pranoi ardhjen e Janullatosit në rolin e Kryepeshkopit, Kisha Ortodokse Shqiptare pushoi së ekzistuari si e pavarur dhe u gjend në duart e Athinës, duke u shndërruar përfundimisht në një filial të kishës shoviniste greke. Këtë e dëshmon më së miri historiani grek Nikolas Stavros, i cili ka deklaruar:
“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX” (Citohet sipas deklaratës së zotit Petrit Bidoshi, Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, në emisionin “Shqip” të zonjës Rudina Xhunga në kanalin TV “Top Channel” të datës 04 dhjetor 2004. Citatin e mësipërm zoti Bidoshi e kishte nxjerrë nga libri me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj” të historianit të lartpërmendur).
Historiani Nikolas Stavros thotë një të vërtetë të padiskutueshme, sepse hedhja në dorë e Kishës sonë Ortodokse nga ana e shovinizmit grek dhe e kishës shoviniste greke, nënkupton hedhjen në dorë të kastës politike të Tiranës, e cila tradhtinë e interesave kombëtare e kishte trashëgim nga etërit e vet komunistë. Realitetet e këtyre tridhjetë vjetëve janë dëshmia më e kulluar e kësaj tradhtie, të konkretizuar me varrezat e ushtarëve agresorë grekë dhe me memorialet e ngritura në nderim të tyre në jugun e Shqipërisë, çka është një poshtërim i hapur i gjakut të mijëra e mijëra shqiptarëve të Çamërisë, të cilët shteti banditesk, terrorist grek, përmes bishave fashiste të Napolon Zervës, i masakroi dhe i vrau barbarisht dhe ata që shpëtuan gjallë i përzuri nga trojet e veta etnike, nga vatrat e veta stërgjyshore.
Këtë realitet Pirro Prifti nuk e pranon dhe, në një mënyrë fare të paturpshme, Janullatosin e ka renditur në listën e kryepeshkopëve me gjak dhe gjuhë shqiptarë. Pirro Prifti, normalisht, në analizën e vet duhej të theksonte burrërisht se emri i Janullatosit nuk e meriton absolutisht të renditet në atë listë, se është shkelje e rëndë e Statutit të vitit 1929. Por Pirro Prifti, si një njeri i zhveshur kokë e këmbë nga vetëdija kombëtare dhe nga dinjiteti personal, si njeri pa taban, Janullatosin e vlerëson si kryepeshkop me gjuhë dhe gjak shqiptar. Kjo dëshmon se Pirro Prifti renditet në aradhen e grekomanëve, të servilëve të pështirë të kishës shoviniste greke dhe të shovinizmit grekokaragjoz. Duke u renditur në krah të Janullatosit, si një lepitkë e tij, Pirro Prifti “ia rrit edhe më shumë autoritetin” vetvetes, se rreshtohet edhe pranë Ramës. Se ai e di shumë mirë që Rama, në dhjetor të vitit 2015 “…bëri një udhëtim zyrtar në Izrael. Por, përveç takimeve zyrtare me autoritetet izraelite, ai e kishte mbajtur të fshehtë një udhëtim në Jerusalem,.. që gjithashtu konsiderohet edhe si qytet historik i hebrenjve… Aty Rama, sipas videove dhe fotove nga ceremonia, u kurorëzua me urdhrin “Kalorës i Kryqit të Madh, të Urdhrit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë” (Citohet sipas: “Zbulohet pse ia jep detin Greqisë / Rama si rusi Medvedev, kalorës i Madh i sllavo-ortodoksisë”. Faqja e internetit “Lajm”. 31 maj 2022).
Pra. Rama, është kurorëzuar dhe betuar si kalorës i helenizmit në Patrikanën e Kishës Ortodokse të Jerusalemit, e cila dominohet nga priftërinj grekë. Pikërisht këtë Ramën, që puthet e përputhet me Vuçiçin, armikun e tërbuar jo vetëm të Dardanisë, por edhe të mbarë kombit shqiptar, Pirro Prifti na e reklamon si një figurë politike, “të adhuruar” nga populli shqiptar. Prandaj para do kohësh ai shkruante:
“Lobi i politikanëve shqiptarë, të kryesuar nga Berisha, së bashku me disa analistë të konsumuar që paguhen prej tij, duan të përdorin kundërshtimin e Kryeministrit dhe Presidentes së Kosovës ndaj Nismës Ballkan i Hapur, për të luftuar Kryeministrin Edi Rama i cili ka fituar tre mandate katërvjeçare nga populli shqiptar…” (Citohet sipas: Pirro Prifti.“Përse Kosova kundërshton Projektin “Ballkan i Hapur””? Faqja e internetit e gazetës “Sot”. 10 qershor 2022).
Me këtë deklaratë, Pirro Prifti bëhet mburojë e kryetradhtarit Rama, që njihet mirë si kryehajdut i votës, si turpi i mbarë kombit shqiptar, si armiku i tij me damkë për shkak të shpopullimit që po i bën vendit me ritme të frikshme gjatë këtyre nëntë vjetëve. Pra, përveç grekoman i njohur për simpatinë për Janullatosin dhe kishën shoviniste greke, Pirro Prifti na prezantohet edhe si serboman i thekur.
Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot”, të datës 21 dhjetor 2017, Pirro Prifti kishte botuar artikullin me titull “Në Shqipëri nuk ka lob rus, por ka simpati për Rusinë”, në të cilin ishte përjekur të renditë disa “fakte” për ndihmën që Rusia i ka pasë dhënë Shqipërisë. Por Pirro Prifti harronte qëllimisht që Rusia, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878, Konferenca e Londrës e vitit 1913 dhe Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915, ka qenë violina e parë në pazaret e ujqërve evropianë për copëtimin e trojeve tona etnike, deri në zhdukjen e tyre tërësore nga harta e Evropës në Traktatin e lartpërmendur. Pra, Rusia ka qenë dhe vazhdon të mbetet kështjella e armiqësisë kundër kombit shqiptar. Faktet konkrete të kësaj armiqësie i kam renditur në internet kronologjikisht që prej vitit 2008.
Domosdo, duke qenë grekoman dhe serboman, Pirro Prifti, automatikisht, figuron edhe në armatën e rusomanëve në Shqipëri. Gjithë armatës së greko-serbo-rusomanëve nuk i bën fare përshtypje se çfarë krimesh ka kryer dhe vazhdon të kryejë ushtria fashiste ruse në Ukrainë kundër popullsisë civile dhe objekteve të infrastrukturës. Me sa duket, e ndiejnë veten ligsht që ushtria heroike e Ukrainës, partizanët dhe mbarë populli ukrainas ia kanë kthyer Rusisë të brendshmet nga jashtë, duke e zhveshur lakuriq para botës, si një ngrehinë të kalbur, e cila mundohet ta maskojë prapambetjen e saj skandaloze me organizimin e paradave “madhështore” të 09 majit. Sigurisht që edhe drejtuesit e kanalit televiziv “Top Channel” e dinë që “auditori” i rusomanëve në Shqipëri është mbushur plot, prandaj edhe më emisionin “Lindje Perëndim. Rusia i shkatërron vendet e NATO-s brenda gjysmë ore, mit apo realitet?”, të transmetuar më 17 korrik, u bëhej reklamë aq e madhe atyre paradave. Sigurisht që edhe Pirro Prifti ka ndenjësen e vet në atë “auditor”.
Feniks, Arizona
16 shtator 2022