Nga porta, tek Asllani dhe sulmi: Formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Shqipëria është gati. Kuqezinjtë prej ditës së djeshme kanë zbarkuar në Tel Aviv dhe sonte në orën 20:45 do të përballen me Izraelin në duelin e Nations League. Trajneri Edy Reja është dashur të përballet me mungesa, por e ka skicuar pak a shumë formacionin.

Gjithsesi ka ende dilema për disa pozicione në fushën e blertë. Gjithçka nis nga porta, ku duhet parë nëse do të luajë Thomas Strakosha apo Etrit Berisha. Ky i fundit, kapiten i skuadrës, nuk ishte dje në konferencën për mediat, çka lë të hapur çështjen e katërkëndëshit.

Në prapavijë Reja nuk ka dyshime, pasi edhe alternativat janë të paktë. Balliu e Hysaj priten titullarë nga krahët, kurse në qendër Ismajli do të ketë partner Veselin. Sikurse shihet, nuk do të kemi një rreshtim me tre në prapavijë pasi mungojnë Kumbulla, Gjimshiti e Dermaku.

Në mesfushë tekniku italian duhet të vendosë nëse do të luajë Qazim Laçi ose Kristjan Asllani, pasi dy pozicionet e tjera janë “prenotuar” nga Amir Abrashi dhe Klaus Gjasula. Para tyre pritet të aktivizohet Nedim Bajrami, i cili duhet të bëjë fantazistin në duelin me Izraelin.

Në sulm Armando Broja konsiderohet i padiskutueshëm në duelin e mbrëmjes së sotme. Myrto Uzuni ka qenë shqetësimi i kuqezinjve këto ditë. Edhe dje beratasi nuk u stërvit rregullisht dhe për të do vendosë stafi mjekësor. Nëse është gati, sulmuesi i Granada do të aktivizohet dhe Cikalleshi do ta nisë nga stoli.

Shqipëria, formacioni i mundshëm (4-3-1-2): Berisha (Strakosha) – Balliu, Ismajli, Veseli, Hysaj – Laçi (Asllani), Gjasula, Abrashi – Bajrami – Broja, Cikalleshi (Uzuni)