Lewandowski do ta bartë shiritin e kapitenit me ngjyrat e Ukrainës në Botëror, pas kërkesës së Shevchenkos

Andriy Shevchenko është takuar me Robert Lewandowskin, i cili po përgatitet me Kombëtaren e Polonisë për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, kundër Holandës dhe Uellsit.

Legjenda ukrainase e ka falënderuar polakun, i cili kur ishte te Bayern Munichi kishte mbajtur një shirit me ngjyrat e Ukrainës dhe kishte kërkuar mbështetjen e botës për vendin në kufi me Poloninë.

“Bota nuk mund të pranojë atë që po ndodh atje. Shpresoj që e gjithë bota të mbështesë Ukrainën”, ishte shprehur Lewandowski më 26 shkurt, pas ndeshjes kundër Eintracht Frankfurtit.

Përveç kësaj, sulmuesi i Barcelonës u pozicionua kundër çdo ndeshje të mundshme me Rusinë.

Sot, Shevchenko i dhuroi Lewandowskit një shirit kapiteni me ngjyrat e shtetit të Ukrainës dhe i kërkoi që atë ta mbajë në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, që zhvillohet këtë vit. Ish-sulmuesi i Milanit gjithashtu dha mirënjohje për bashkëkombësit e kapitenit të Polonisë, që gjithashtu kishin shprehur mbështetje për ukrainasit pas fillimit të agresionit rus.

“Ky shirit në krahë simbolizon për mua shumë emocione që lidhen me vendin tim. Faleminderit juve dhe gjithë kombit polak për mbështetjen e bashkatdhetarëve të mi”, tha 45-vjeçari, i cili pastaj e vendosi shiritin në krahun e sulmuesit.

“Liria është një nga të drejtat më të rëndësishme. Ishte e natyrshme që unë t’ju mbështes dhe të jem pranë jush”, u shpreh pastaj Lewandowski në një fjalim para mediave.

Më pas, në rrjetet sociale, 34-vjeçari për takimin e tij me Shevechenkon shkroi: “Faleminderit Shevchenko. Ishte kënaqësi që të njoha! Do të jetë një nder për mua të mbaj shiritin e kapitenit me ngjyrat e Ukrainës në Kampionatin Botëror”.