Lionel Messi do të jetë i mirëpritur në rikthim në Barcelonë nga Paris Saint-Germain, nëse ai dëshiron që ta përfundojë karrierën e tij në Camp Nou, thotë Carles Puyol
Argjentinasi u largua nga Barça si transfer i lirë para një viti dhe ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me PSG. Megjithatë, presidenti Joan Laporta dhe trajneri Xavi e kanë ripërsëritur që ata do të dëshironin që 35 vjeçari të rikthehet në klub, kurse ish shoku i tij i skuadrës, Puyol, e mbështet këtë ide.
“Kurrë nuk është vonë që Leo Messi të kthehet”, tha ai për gazetarët. “Ai ka edhe një vit në kontratën e tij dhe shumë gjëra mund të ndodhin deri në atë kohë. Varet nga Xavi dhe Leo, por ai gjithmonë do të jetë i mirëpritur në Barça”.
Kontrata e Messit skadon në fund të këtij sezoni dhe qëndrimi i tij në klubin francez nuk ka shkuar sipas planit të tij. Ai dhe shoku i tij Neymar shpesh janë fishkëlluar nga tifozët e skuadrës sezonin e kaluar, sidomos kur ata u eliminuan nga Liga e Kampionëve.
Megjithatë, Messi dhe PSG kanë filluar mirë këtë sezon dhe janë kandidat për ta fituar garën më të rëndësishme europiane. Fituesi i shtatë herë Topit të Artë ka shënuar tre gola në Ligue 1 deri me tani këtë sezon, derisa ka regjistruar edhe pesë asiste.
Messi bashkë me PSG e fillojnë aventurën në Ligën e Kampionëve këtë javë ku do të luajnë kundër skuadrës së Serie A, Juventus, në ndeshjen e parë në grupe, të cilat fillojnë të martën.