Afati kalimtar i verës u mbyll mbrëmë dhe kështu u hoqën krejt dilemat sa u përket lëvizjes së yjeve të futbollit evropian.
Tash, mediat e huaja kanë nisur t’i zbulojnë prapaskenat e ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë kësaj vere.
Cristiano Ronaldo ishte emri më i përfolur në këtë afat kalimtar, shkruan “Gazeta Express”.
U përmendën shumë klube si destinacione të mundshme të portugezit, por në fund ai qëndroi në Manchester United.
Sot, drejtori sportiv i Bayern Munichut, Hasan Salihamidzic ka zbuluar se gjiganti bavarez e refuzoi 37 vjeçarin, të cilin ua ofroi atyre menaxheri i tij, Jorge Mendes.
Kampioni gjerman konsideroi se veterani i sulmit nuk do të ishte një opsion ideal për ta dhe e refuzuan atë, njëjtë si disa klube të tjera, të cilat thuhet se nuk ia hapën dyert përfaqësuesit portugez, i cili po e kërkonte një klub me të cilin do të mund të luante në Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë, mediat e huaja raportojnë se këtë verë u refuzua edhe Neymari.
Yllit brazilian duket se i ka thënë “jo” Manchester City, njofton mediumi spanjoll “Marca”.
Paris Saint-Germaini dëshironte ta shiste përfaqësuesin brazilian, i cili i ka prishur punët me Kylian Mbappen.
Mirëpo, “Citizens” nuk menduan ndryshe dhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi, edhe pse ish-futbollisti i Santosit dhe i Barcelonës është në formë jetësore.