Abdulla Mehmeti: Ballkani Perëndimor në kthetrat e terrorit rusomadh të Serbisë dhe manireve të Evropës së vetëmjaftueshme

A n a l i z ë

BALLKANI PERËNDIMOR NË KTHETRAT E TERRORIT RUSOMADH TË SERBISË DHE MANIREVE TË EVROPËS SË VETËMJAFTUESHME

Abdulla Mehmeti

Zhvillimet e fundit në skenën politike ndërkombëtare, sidomos pas agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, gjithnjë e më tepër po e dëshmojnë se, Serbia nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është as sot, vetëm një shtet aleat, satelit politik, fetar, ushtarak dhe strategjik i Rusisë, siç janë edhe disa shtete të tjera ballkanike, dhe jo vetëm, por shteti i Serbisë ka qenë dhe është vetë Rusia, RUSIA E VOGËL në rajonin ballkanik dhe në Evropë.

Popullsia në territorin e sotëm të Serbisë, deri në fillim të shekullit 19-të është përbërë mbi 70% me popullsi josllave, ndërsa edhe aktualisht shumica e banorëve të këtij shteti (mbi 52%) nuk janë me prejardhje sllave (serbe), pavarësisht nga falsifikimet gjatë regjistrimit të popullsisë në shtetin e sotëm të Serbisë.

Çfarë ka ndikuar në rolin dominues të serbëve dhe të Serbisë, nga krijimi i ish-Mbretërisë së Jugosllavisë (SKS), të ish-Federatës së Jugosllavisë, por edhe nga pavarësimi (mbetja) e shtetit të sotëm të Serbisë pas shkatërrimit të ish-Federatës komuniste Jugosllave, nëse nuk është ky shtet dhe pushteti i tij, pjesë evropiane dhe vazhdimësi eks-territoriale e Federatës Ruse?!

Luftërat e fundit në ish-jugosllavi, në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në Kosovë, jo edhe në Malin e Zi, në Vojvodinë dhe Maqedoni, dëshmojnë shumë qartë për orientimin strategjik të shtetit të Serbisë dhe të pushtetit aktual të tij, pse me kaq vështirësi mund të shkëputet nga ndikimi rus, rrjeta e merimangës rusomadhe, dhe nga ideja për dominim, pushtimin e territoreve të huaja dhe shtrirjen e interesave të Rusisë në rajonin ballkanik dhe në Evropë.

Pushtimet, okupimi i territoreve të vendeve fqinje nga Serbia, nxitja e luftërave, masakrat dhe gjenocidet mbi popujt fqinjë nga Serbia (regjimet e saj) gjatë dy shekujve të fundit asnjëherë nuk janë dënuar nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Fuqitë e Mëdha Evropiane, pjesërisht edhe pas Luftës për Pavarësinë e Kosovës, më 1999, prandaj edhe sot, i gjithë angazhimi i faktorit ndërkombëtar e sheh rrugën e demokratizimit të Serbisë në shkëputjen e këtij shteti nga Rusia, përmes krijimit të marrëdhënieve të reja mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe sidomos me arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme, me njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve sovrane fqinje, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kjo nuk mund të nënkuptojë për shqiptarët edhe pajtim historik dhe zgjidhje e kontesteve historike mes popullit Serb (popullsisë sllave të Serbisë) dhe popullit Shqiptar, jo vetëm në Kosovë, pa pranimin e fajeve nga e kaluara, kërkimfalje ndaj shqiptarëve për krimet, masakrat dhe gjenocidet, dëbimin me dhunë të popullsisë shqiptare, djegiet dhe shkatërrimet e krahinave, rajoneve dhe vendbanimeve, asimilimin e banorëve shqiptarë vendës, falsifikimin e historisë, përvetësimin e trashëgimisë kulturore-historike, monumenteve të lashta dhe objekteve fetare, pranimin e faktit se Serbia është pushtuese dhe okupatore në pjesë të madha të territoreve etnike shqiptare gjatë dy shekujve të fundit, etj.

Sa më parë që të demokratizohet shteti i Serbisë, të shkëputet nga llageri politik dhe ushtarak-represiv i Federatës Ruse, aq më e qëndrueshme do të jetë paqja dhe progresi ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.