Një ditë pasi doli përgjigjja e testi të drogës së Kryeministres së Finlandës, Sanna Marin, ku rezultoi se nuk kishte konsumuar lëndë narkotike, një tjetër video e saj është publikuar në internet.
Këtë herë, politikania 36-vjeçare shfaqet duke kërcyer në mënyrë tepër sensuale me një tjetër vajzë. Bëhet fjalë për një blogere të famshme finlandeze, Sabina Särkkä, 33 vjeç. Dy vajzat shihen teksa kërcejnë duke i hedhur duart në qafë njëra-tjetrës.
Video është regjistruar në një lokal nate ku Marin ishte filmuar më parë duke kërcyer me këngëtarin finlandez, Olavi Uusivirta. Pas videos, 38-vjeçari u detyrua të deklaronte se nuk kishte ndonjë lidhje intime me Marin, e cila është e martuar.
Pas publikimit të videos së parë, ku Marin shfaqej duke kërcyer e kënduar në mënyrë të shfrenuar në një festë private, kritikat për të ishin të shumta. Por vetë Marin tha se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme dhe pranoi të kryente testin e drogës, pas propozimit të bërë nga disa politikanë.
Kush është Sana Marin?
Sanna Marin theu shumë barriera që në momentin e parë që u zgjodh kryeministre e Finlandës në vitin 2019 ndërsa ishte ende 34 vjeçe.
Vajzë e një çifti femrash ajo u bë liderja më e re botërore dhe kryeministrja e tretë femër në vendin skandinav.
Por ndërsa mbështetja për qeverinë e koalicionit të Marin në opinionin finlandez qëndron pozitive, shumë njerëz kanë nisur të diskutojnë me hije dyshimi për figurën e saj, pas videove që kanë dalë ditët e fundit ku ajo shfaqet duke festuar me miqtë pa pasur asnjë lloj kompleksi për postin që mban mbi shpatulla.
Në video, shefja e qeverisë është në një festë së bashku me një grup miqsh si këngëtarja Alma, motra e saj Anna, reperi Petri Nygard, prezantuesi Tinni Wikstrom, fotografja Janita Autio dhe anëtarë të tjerë të Partisë Social Demokrate, ku kërcen e dëfrehet si bashkëmoshatarët e saj pa post publik.
Ky filmim doli në dritë vetëm 8 muaj pasi Marin u detyrua të kërkonte falje që kishte shkuar në një klub pas kontaktit që kishte pasur me një person të infektuar me Covid. Ajo u justifikua se kishte harruar në shtëpi telefonin, ku i kishte ardhur njoftimi se duhej të izolohej për shkak të personit të infektuar që kishte pasur kontakt.
Në vitin 2020, emri i Sanna Marin u diskutua sërish nga kritikët për foton e saj ‘topless’ që u shfaq në gazetën e modës “Trendi”. Kryeministrja kishte pozuar me një xhaketë të zezë pa asnjë gjë poshtë saj.
Fotoja u cilësua e papërshtatshme nga rivalët, por shumë mbështetës dolën sërish në krah të saj.
Gazeta “Bild” e përshkroi në atë kohë kryeministren si moderne me vetëbesim, por që edhe si një person që di të festojë.
Në 2015, Marin rrëfeu për një media online se si fëmijë ajo e ndjente veten të padukshme pasi e kishte të pamundur të fliste hapur për familjen e saj, e cila nuk ishte njësoj si të tjerat. Vetëm dy muaj më pas, ajo u shfaq në Paradën e Krenarisë së komunitetit LGTBI që u mbajt në rrugët e Helsinkit.
Megjithatë liderja aspak e zakontë ka treguar se është edhe një bashkëshorte e devotshme dhe nënë shembullore me postimet e herëpashershme që bën në rrjetet sociale.