Senati amerikan të mërkurën votoi me shumicë dërrmuese për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke e vënë aleancën ushtarake në rrugën e duhur për një zgjerim historik në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Me 95 senatorë që votuan pro, traktati i mbrojtjes shkon në tryezën e presidentit Joe Biden, ku ai pritet ta ratifikojë atë në ditët në vijim, duke e bërë SHBA-në vendin e 22-të të NATO-s që jep miratimin e saj, shkruajnë mediat e huaja.
Të 30 anëtarët e NATO-s pritet të përfundojnë procesin e ratifikimit përpara fundit të vitit, në një sinjal për Moskën se aleanca nuk do të shmanget nga frenimi i agresionit të ardhshëm rus.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer njoftoi të martën se votimi për miratimin e rezolutës së ratifikimit për aplikimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO do të bëhej dhe tha se ai kishte ftuar ambasadorët nga Finlanda dhe Suedia të ndjekin debatin dhe votimin.
“Aleanca jonë e NATO-s është themeli që ka garantuar demokracinë në botën perëndimore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Kjo forcon NATO-n edhe më tej dhe është veçanërisht e nevojshme në dritën e agresionit të fundit rus”, ka thënë Schumer në komentet nga foltorja e Senatit.
Suedia dhe Finlanda njoftuan të dyja synimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n në maj, pasi pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi një ndryshim të papritur në qëndrimet ndaj anëtarësimit në bllok.
Arsyeja pse shumica e vendeve i bashkohen NATO-s është për shkak të Nenit 5, i cili përcakton se të gjithë nënshkruesit e konsiderojnë sulmin ndaj një anëtari si sulm kundër të gjithëve.