Një zjarr i madh ka rënë në një zonë turistike të Malit të Zi, flakët po iu afrohen rezidencave

Një zjarr i madh shpërtheu mbi Plazhin e Kuq në Sutomore të Malit të Zi, era dhe terreni i paarritshëm e vështirësojnë shuarjen e tij.

Mediat malazeze raportojnë se zjarri në shkallë të gjerë ka përfshirë sot pasdite zonën mbi Plazhin e Kuq, në drejtim të fshatit Vitiqi.

Sipas informacioneve nga Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Barit, digjet bimësi e ulët, ndërsa zjarri është afër objekteve të banimit.

Për shuarjen e zjarrit përveç zjarrfikësve që janë në turn, janë thirrur edhe ekipe të tjera të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Barit.

Për shkak të zjarrit, qarkullimi hekurudhor është ndërprerë, kështu që treni që është dashur të niset për në Bijelo Polje në orën 19:00 ende është në stacionin e Barit.

Ndryshe, Mali i Zi kohët e fundit kishte regjistruar edhe disa zjarre të tjera si pasojë e temperaturave të larta.