Napoli fiton me spektakël golash në ndeshjen e parë të Serie A

Skuadra e kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani ka fituar me rezultat 2-5 në Verona sonte për ta filluar si më së miri kampanjën e re në Serie A. Lassagna (29’) dhe Thomas Henry (48’) shënuan për Veronën kurse për Napolin, Kvaratskhelia (37’), Osimhen (45+3), Zielinski (55’), Lobotka (65’) dhe Politano (79’)

Napoli i Amir Rrahmanit e ka filluar si më së miri sezonin e ri në Serie A duke e mposhtur me rezultat të thellë Veronën 2-5.

Kjo është fitorja më e thellë e arritur në javën e parë në Serie A deri me tani, me Juventusin që do të luan ndeshjen e fundit.

Napoli rrezikoi qysh në fillim të ndeshjes me Osimhen (11’) por ai goditi jashtë portës shumë afër shtyllës së majtë të portës së Veronas.
Khvicha Kvaratskhelia (18’) i Napolit kishte mundësinë e radhës për mysafirët por goditja e tij përfundoi jashtë portës. Lozano (21’) pati mundësinë e radhë pasi mori një pasim nga Osimhen por edhe ai goditi jashtë.

Por, Verona në rastin e parë do të shënonte gol. Ishte Kevin Lasagna që mori një top të mirë nga Gunter për ta zhbllokuar rezultatin për herë të parë në këtë ndeshje në minutën e 29-të.

Khvicha Kvaratskhelia (31’) ishte afër për ta barazuar rezultatin ashtu si Anguissa (34’) i Napolit por pa rezultat.

Megjithatë Khvicha Kvaratskhelia krijoi një hapësirë të mirë në zonë për të shënuar një gol të bukur në minutën e 37-të dhe për ta barazuar rezultatin.

Napoli pas presionit të madh shënoi edhe njëherë pa përfunduar pjesa e parë.

Di Lorenzo bëri një pasim të mirë tek Osimhen që shënoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë për ta përmbysur epërsinë e Veronës për herë të parë.

Pjesa e dytë filloi shumë më mirë për vendasit.

Ishte Thomas Henry që ia grabiti hapësirën mbrojtësit kosovar Amir Rrahmani për të shënuar golin e barazimit për Veronën në minutën e 48-të.

Megjithatë, Napoli vazhdonte sulmet dhe ishin më të mirë në çdo aksion që dilnin përpara.

Piotr Zielinski mori një top nga Khvicha Kvaratskhelia për ta shënuar golin e tretë në minutën e 55-të.

10 minuta më vonë Napoli do të shënonte përsëri. Kësaj here në korniza të portës shënoi Lobotka, edhe ky një gol të bukur për rezultat 2-4.

Osmihen bëri asistin e dytë në këtë ndeshje për Matteo Politanon që shënoi golin e pestë në minutën e 79-të të ndeshjes.

Gol në këtë ndeshje shënoi edhe Elmas por VAR e anuloi atë edhe pse nuk u qartësua pse, nga ndonjë faul apo ai ishte shënuar në pozitë jashtëloje.

Kjo fitore i jep Napolit vendin e parë në Serie A derisa kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani luajti 96 minuta lojë.

Napoli pret Monzan në Diego Armando Maradona në ndeshjen e radhës kurse Verona i shkon Bolognas.