Ministri shqiptar në Mal të Zi: Nuk dihet se a do të rrëzohet qeveria

Ministri i Komuniteteve në Malin e Zi, Fatmir Gjeka, thotë se ende nuk dihet se a do të rrëzohet qeveria me mocion mosbesimi.
Gjeka për Klan Kosova tha se seanca e sotme do të jetë shumë interesante dhe tek pas saj do të kuptohet se çfarë do të ndodh pasi disa subjekte opozitare janë konfuze për votën që do të japin, njofton Klankosova.tv.

“Situata është komplekse pas nënshkrimit të kontratës me Kishën Ortodokse Serbe e cila për mua ka qenë një kontratë e njëjtë si të gjitha kontratat tjera me bashkësitë fetare”.

“Kemi dy iniciativa një nga opozita me 38 nënshkrime dhe një tjetër në shtator. Nëse merren të dy iniciativat janë 68 nënshkrime për të rrëzuar qeverinë, njëra sot e tjetra më 2 shtator. Një pjesë e subjekteve janë ende konfuze dhe gjatë debatit pritet se si do të shkojë debati në Kuvend. Do të jetë një seancë interesante. Sido qoftë do të jetë interesante se çfarë do të ndodhë. Pas mocionit nëse ndodhë nuk shoh stabilitet politik e as që do të shkojmë në zgjedhje apo rikonstruksion të kësaj qeverie. Deri në fund të ditës do të dihet se çfarë do të ndodhë”, tha Gjeka.