Kurti: Barrikadat s’janë hequr ende, dhuna nuk do të tolerohet

Kryeministri Albin Kurti ka treguar për zhvillimet e mbrëmshme në veri të vendit, në një konferencë për media me ministrin e Punëve të Brendshëme, Xhelal Sveçla.

Kurti tha se “dhuna nuk do të tolerohet”, ndërsa njoftoi paraprakisht se ka pasur nëntë barrikada dhe njerëz të armatosur që kanë ndaluar automjete e këmbësorë, raporton Gazeta Express.

“Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështet i gjithë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior”, tha Kurti.

Ai tha se pati shkelje të shumta të ligjit me të cilat tha se po merret Policia e Prokuroria.

“Fatmirësisht nuk ka të plagosur me armë zjarri”, tha Kurti.

Kryeministri tha se “pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak mbeten ende të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpiejnë atje”.

Ai përsëriti zotimin se zbatimi i vendimeve të Qeverisë do të shtyhet kur të hiqen barrikadat.

“Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen të gjitha barrikadat”, tha Kurti.

Në pikat tjera kufitare, Kurti njoftoi se po shpërndahet dokumenti për hyrje-dalje.