Inter shet 41 mijë abonime sezonale, Milan ndjek me një mijë më pak

Dy javë nga fillimi i kampionatit të Seria A, ka një dëshirë të madhe për futbollin, por mbi të gjitha për të qënë në shkallët e stadiumeve. Pas dy vitesh ndalim të detyruar për shkak të Covid-19, rikthimi në normalitet ka ndezur dritën jeshile për t’i kthyer sërish duelet e futbollit në një festë sportive. Këtë e tregojnë edhe shifrat, me klubet që tashmë kanë ezauruar edhe shumicën e abonimeve sezonale.

Inter dhe Milan kryesojnë renditjen speciale, me zikaltërit që deri më tani kanë shitur 41 mijë bileta sezonale, një mijë më shumë se kushërinjtë e tyre kuqezi. Pas dy skuadrave nga Milano është Roma me 36 mijë, ose 100% e biletave të sezonit të vëna në dispozicion dhe të shitura edhe para ardhjes së Dybala.

Juventusi dhe Lazio kanë kaluar shifrën e 20 mijë abonimeve të shitura deri më tani, çka tregon se te torinezët as ardhja e Pogba dhe Di Maria nuk i ka entuziazmuar tifozët bardhezi, të cilët gjithsesi kanë rezervuar një vend në shkallët e stadiumit për të ndjekur nga afër skuadrën e trajnerit, Massimiliano Allegri.

Abonimet më të ulëta i kanë skuadrat e Spezia dhe Cremonese, e ngjitur rishtazi këtë sezon në elitën e futbollit italian. Të dy ekipet kanë mbyllur 2 mijë abonentë. Ndërkaq, në këtë renditje mungon Napoli, për shkak se sapo ka nisur shitjen e biletave sezonale dhe është herë për të bërë një bilanc real.