Hodhi gruan dhe veten nga ballkoni, flet kunata e aktorit shqiptar

Lajmi se aktori shqiptar, Florind Belliu, dhe bashkëshortja e tij, Ornela Belliu, 28 vjeçe, u hodhën nga kati i gjashtë i një ndërtese në Shtetet e Bashkuara tronditi mbarë opinionin publik.
Së fundmi me anë të një postimi në rrjetin e saj social ka reaguar motra e Ornelës së ndjerë, e cila mes dhimbjes së madhe ka hedhur dritë mbi krimin e rëndë.

Ajo thekson se aktori Florind Belliu kishte probleme me shëndetin mendor, dhe ka qenë motra e saj që me sakrifica të mëdha ka punuar për të mundësuar rritjen e dy fëmijëve.

Motra e 28-vjeçares së ndjerë rrëfen se Florind Belliu merrte trajtim në klinikë psikiatrike, por viktima kishte vendosur ta merrte në shtëpi për shkak të kërkesës nga ana e dy fëmijëve pa e ditur se ai do t’i merrte jetën asaj dhe fëmijës që prisin të vinte në jetë.
“E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë, motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa shkruar dy fjalë për motrën time, për ëngjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork. Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që vrau jo vetëm motrën tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës tonë…por Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar atë që do t’i merrte jetën në mënyrën më kriminale…i dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën “ëngjëll”, pasi ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende nevojë për kurim, pasi nuk kishte përmirësim, por Ornela edhe për hatër të dy djemve të vegjël që kërkonin babin, kishte firmosur për ta sjellë Florindin në shtëpi, pa pandehur se ai do t’ia merrte jetën asaj dhe foshnjës që mbante në bark, pa u shqetësuar për të ardhmen e dy fëmijëve të mitur.

Falenderoj me zemër të gjithë ata që kanë shkruar fjalë të mira, të ndjera për engjëllin tonë- Ornelën!”, ka shkruar ajo, raporton Bordo.al.