Gjermani, 21-vjeçari shqiptar rrëmben ish të dashurën dhe kërkoi ta dërgonte në Shqipëri – kapet nga policia

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Gjermani, ku një 21-vjeçar shqiptar ka rrëmbyer ish të dashurën e tij 19-vjeçare.

Sipas mediave gjermane, ngjarja ka ndodhur në Osnabruk. 21-vjeçari thuhet se e kishte tërhequr me forcë në rrugë, dhe më pas e kishte futur në makinë duke u larguar me shpejtësi.

Mediat gjermane theksojnë se kanë qenë miqtë e 19-vjeçares të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë.

Më tej theksohet se 21-vjeçari kishte si qëllim që ish-të dashurën e tij ta sillte në Shqipëri.

“Janë vizituar dhe marrë në pyetje dëshmitarët, të afërmit dhe personat e afërt dhe të kontaktuar nga i dyshuari dhe viktima”, tha policia e Osnabruk.

Ndërkohë, të shtunën vonë pasdite, 19-vjeçarja ka telefonuar nga Holanda dhe i ka treguar një dëshmitari se do të ktheheshin në Osnabruk.

Por, në mbrëmje, efektivët gjetën mjetin që po kërkonin dhe arritën të arrestonin 21-vjeçarin, i cili ka heshtur gjatë kohës që është tentuar t’i merret dëshmia për ngjarjen.

19-vjeçarja ndodhej gjithashtu në makinë dhe sipas policisë ajo nuk kishte dëmtime fizike ose shenja dhune.

Ish i dashuri i saj akuzohet për heqje lirie, shtrëngim, lëndim të thjeshtë trupor dhe dyshohet se ka drejtuar mjetin pa patentë.

“Nuk kishte më arsye për ndalim, 21-vjeçari u lirua nga masat policore”, tha policia e Osnabrukut.

21-vjeçari u la i lirë por mbetet në hetim dhe i është ndaluar nga policia që të kontaktojë sërish me ish të dashurën.