Dy rusë dhe një ukrainas sulmojnë me armë kimike ushtarët shqiptarë në Uzinën e Gramshit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Uzinën e Çekinit të Gramshit (ish-uzina mekanike e Armëve), ku tre shtetas me pasaportë ruse kanë sulmuar me spraj kimikë ushtarët që ruanin vendin.

Dy ushtarë të identifikuar si Aldo Bici dhe Ardian Caka kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Nga informacionet e deritanishme të siguruara nga “Top Channel” bëhet me dije se tre rusët janë kapur nga policia dhe ndodhen në komisariatin e Elbasanit.

Prokuroria thotë se rusët ishin duke bërë foto dhe tentuan të hyjnë në perimetrin e uzinës. Ende nuk është e qartë se çfarë janë apo synimet që kanë pasur.

Në rast se do ishin turistë thotë prokuroria, nuk do reagonin me neuroparalizues, por do hetohet për të mësuar së cilët janë dhe synimet e tyre.

Në uzinën mekanike të armëve në Gramsh nuk prodhohen armë që prej vitit 1993. Më pas pati vetëm montime dhe rregullime të armëve deri në vitin 2004.

Në këtë uzinë më vonë nisi procesi i demontimit të armëve, i cili ka zgjatur deri para një viti. Gjithsesi uzina ka armatime të ushtrisë brenda saj dhe është objekt i rëndësisë së veçantë që ruhet nga ushtria shqiptare.

Informacion mbi ngjarjen e ndodhur në Uzinën e Gramshit

Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë drenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.
Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur.

Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit po koordinojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërsa dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.