Ballkani prek grupet e Ligës së Konferencës, mposht Shkupin

Ballkani e çon futbollin e Kosovës në një tjetër nivel, i prek grupet e Ligës së Konferencës.

Ballkani ka shkruar historinë e futbollit kosovar sonte. Klubi kampion i Kosovës është kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Suharekasit arritën ta mposhtnin në dy ndeshjet ekipin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shkupin, shkruan Gazeta Express.

Fillimisht Ballkani triumfoi 1:2 në Shkup, kurse sonte ata fituan minimalisht 1:0 për t’u kualifikuar dhe për të shkruar historinë në futbollin kosovar.

Ishte minuta e dytë e ndeshjes kur Abdullai u ndëshkua me karton të kuq direkt, duke e lënë Shkupin me një lojtar më pak.

Më pas, Ballkani e pati ndeshjen totalisht nën administrimin e tij dhe arriti golin në minutën e 70-të, kur Meriton Korenica realizoi.

Korenica ishte golashënuesi i golit të fitores edhe në ndeshjen e parë në Shkup, duke u treguar prej më meritorëve për suksesin historik të Ballkanit.

Kështu, nesër Ballkani do të mësojë kundërshtarët e tij në grup dhe do të tentojë të vazhdojë të shkruajë historinë.