Autorët të maskuar qëlluan me kallashnikov nga BMW-ja, detaje nga atentati në Vlorë

“Në momentin e sulmit, autorët kanë qenë të maskuar, teksa automjeti i tyre tip “BMW” dyshohet të ketë pasur xhama të zinj”.

Janë këto detajet e fundit të raportuara nga gazetarja e “Euronews Albania”, Ebrieta Maçaj në lidhje me atentatin e ndodhur mëngjesin e së enjtes në Panaja të Vlorës, ku mbetën të vdekur Shpati Lena dhe Hakim Xhezo.

Dëshmitarët okularë në vendngjarje, të cilët kanë parë largimin e autorëve tregojnë se kanë qenë tre persona të përfshirë në sulm.

Shoferi, pasagjeri në vendin e parë të makinës që ka goditur dhe pasagjeri i pasëm, i cili ka qenë personi i dytë që ka shtënë me armën e llojit kallashnikov.

Në zonën ku ndodhi atentati mungojnë kamerat e sigurisë, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e autorëve.

Në lidhje me këtë atentat, janë shoqëruar në polici 15 persona, ku kanë dëshmuar, miq, familjarë të viktimave dhe dëshmitarë okularë.

Dyshohet se atentati i djeshëm ka ndodhur për motive hasmërie, për shkak të një vrasjeje të ndodhur 3 vjet më parë në Vlorë ku mbeti i vrarë biznesmeni Arben Beqiraj, i cili zotëronte një plazh privat.

Një konflikt i nisur për motive të dobëta, ka përfunduar në përdorimin e armëve, më 5 gusht të vitit 2019.

Më pas, në takimin e dytë për sqarimin e këtij sherri, që kishte nisur për një kalë që kishte kaluar në këtë plazh privat, ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit, ku mbeti i vdekur Beqiraj dhe u plagos djali i tij bashkë me një të afërm të tyre./euronews.al