AP: Trupat amerikane të NATO-s vendosen në veri pas dështimit të negociatave në Bruksel

Trupat amerikane në kuadër të NATO-s janë vendosur përgjatë rrugëve kryesore në veri të Kosovës pas dështimit të negociatave në Bruksel.

Kështu raporton mediumi serb N1 duke e cituar Associated Press.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel se “për fat të keq nuk u arrit marrëveshje, por ky nuk është fundi i tregimit”.

Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar të premten se edhe pse shumë janë të zhgënjyer që në Bruksel nuk ka pasur përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, rezultati i atyre bisedimeve është ende pozitiv.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se presidenti Aleksandar Vuçiq do t’i drejtohet popullit serb në lidhje me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel të dielën në ora 13:30 nga Pallati i Serbisë.

“Vuçiq e shtyu fjalimin e tij pikërisht sepse nuk mund të pajtohet me faktin se ne kemi konflikte në Kosovë, se nuk kemi zgjidhje dhe ai po punon ditë e natë për të gjetur një zgjidhje”, tha Petkoviq në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë.