Abdixhiku: Ka reduktime se u vonua mirëmbajtja e Bllokut A5, ftoj Prokurorinë ta hetojë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova nuk ka rrymë sot për shkak që Blloku A5 i KEK-ut nuk është në funksion pasi nuk e ka kryer mirëmbajtjen e rregullt me kohë.

“Kosova nuk ka rrymë sot sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë – prandaj tash e një muaj nuk është në funksion. Një muaj as mirëmbajtje e as prodhim. Dhe do të qëndrojë kështu për shumë kohë sepse Qeveria e Kosovës, sikurse në çdo temë tjetër, është e vonuar të veprojë. Verës pushon, dimrit nisë të mirëmbajë – këso praktike të mbrapshtë nuk njeh asnjë shtet”.

Ai ka thënë se arsyeja e reduktimeve të rrymës, që po ndodhin gjatë stinës së verës, nuk është për shkak të mungesës së kapaciteteve por për shkak që ato nuk janë në punë.

“Sot, nga 130 MWh në orë, apo 78,000 euro për orë (në pikun energjetik), i humbasim si pasojë e kësaj vonese skandaloze. Madje, gjatë muajve në vijim, kur çmimi i energjisë rritet edhe më shumë, vlera e humbur do të jetë shumë më e lartë se kjo. Kemi kapacitete por s’i kemi në punë. Kjo është e vërteta e reduktimeve të rrymës në verë. Përtej neglizhencës së praktikantëve, nuk mund të mendojë asgjë tjetër, veçse një interes madhor që përfiton miliona euro nga tenderet riparuese e nga blerja e energjisë derisa ne nuk prodhojmë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

I pari i LDK-së e ka ftuar Prokurorinë që të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5, derisa i ka bërë thirrje edhe qeerisë që të bëjë përgatitjet për, siç e quan ai, dimrin e vështirë për energjinë.

“Prandaj ftoj Prokurorinë e Kosovës, të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5. Siç dhe ftoj Qeverinë e papërgjegjshme të Kosovës të zgjohet nga gjumi i thellë veror e të bëjë çdo përgatitje të nevojshme për një dimër të vështirë për energjinë – nisur nga shkarkimi i Bordeve partiake në KEK e ZRrE që me paaftësi po krijojnë terr në verë”, ka shkruar ai, njofton Klankosova.tv.