Zyrtarë rusë kanë shkuar dy herë në Iran gjatë muajit të fundit, për të parë dronët

Një delegacion rus ka vizituar një aeroport në Iranin qendror të paktën dy herë në muajin e fundit, për të ekzaminuar dronët, sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare amerikane, Jake Sullivan, dhe imazheve satelitore të marra nga CNN.

Irani ia tregoi Rusisë dronët Shahed-191 dhe Shahed-129, të njohur gjithashtu si UAV ose Mjete Ajrore pa pilot, në aeroportin Kashan në jug të Teheranit në qershor, thanë zyrtarët amerikanë.

“Ne kemi informacione se qeveria iraniane po përgatitet t’i sigurojë Rusisë disa qindra UAV”, tha Sullivan në një deklaratë.

Sullivan tha se në dijeninë e SHBA-së, vizita e qershorit ishte hera e parë që një delegacion rus vizitonte këtë aeroport për një çështje të tillë. Një delegacion rus vizitoi sërish aeroportin për një ekspozitë të ngjashme më 5 korrik.

Biden mbetet nën presion në rritje nga aleatët e Lindjes së Mesme për të hartuar një plan të zbatueshëm për të ndaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, pasi shpresat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 janë zbehur. /Klankosova.tv/