Vrasësi i Shinzo Abe shkroi një letër pak para vrasjes së ish-presidentit japonez, ja çfarë la të kuptohet
Vrasësi i ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, 41-vjeçari Tetsuya Yamagami, thuhet se shkroi një letër pak para sulmit duke lënë të kuptohet planet e tij.
Sipas gazetës Yomiuri të dielën, një burrë që jetonte në Japoni e gjeti mesazhin në kutinë e tij postare pas vrasjes, duke kritikuar organizatën fetare të Kishës së Unifikimit, të cilën Yamagami e fajësoi për shkatërrimin financiar të familjes së tij.
Zarfi nuk përmbante emrin e dërguesit, por brenda kishte një kontratë midis nënës së tij dhe Kishës së Unifikimit, e cila përfshinte, ndër të tjera, emrin dhe adresën e Yamagami. Ai shkroi se nuk e konsideron Aben një “armik të vërtetë”, por ai, sipas tij, “është një nga njerëzit më me ndikim që simpatizon” organizatën fetare, të cilën vrasësi e konsideron shkaktar të problemeve të familjes së tij. Sipas hetimeve, Yamagami donte të provokonte kritika ndaj Kishës së Unifikimit duke vrarë ish-kryeministrin, raporton agjencia e lajmeve TASS.
Vetë letra ishte e shtypur, jo e shkruar me dorë. Sipas vulës postare, vrasësi e dërgoi mesazhin më 7 korrik nga Okayama City ndërsa po shkonte për në vendin e fjalimit të Abe. Më pas ka hyrë në sallë, por nuk ka mundur t’i afrohet ish-kryeministrit dhe ka vendosur të shtyjë atentatin. Njeriu që mori letrën ka një blog në internet që kritikon Kishën e Unifikimit. Ai nuk e njeh vrasësin, por mesazhi në letër thotë se Yamagami ka lexuar blogun e tij. Burri e gjeti letrën në kutinë e tij postare më 13 korrik, domethënë pesë ditë pas sulmit.
Nëna e vrasësit ka dhuruar më shumë se 100 milionë jen (më shumë se 720,000 dollarë me kursin aktual) për Kishën e Unifikimit gjatë përkushtimit të saj të gjatë për organizatën, raportoi më parë Kyodo. Yamagami fillimisht kishte planifikuar të sulmonte kreun e kësaj organizate fetare, por duke kuptuar se kjo do të ishte problematike, ai zgjodhi Shinzo Abe si objektivin e tij. Sipas vrasësit, ish-kryeministri ishte i lidhur me organizatën – informacionin përkatës e gjeti në internet. Kisha e Unifikimit ka mohuar zyrtarisht çdo përfshirje të Abe në aktivitetet e saj.