Ish-presidenti i Meksikës, Luis Echeverria, i cili mori detyrën në vitin 1970 duke premtuar një hapje demokratike për vendin, por mbikëqyri gjashtë vitet më të ashpra të të ashtuquajturës “luftë e pistë” kundër protestuesve, ka vdekur në moshën 100-vjeçare.
Vdekjen e tij e konfirmoi presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjen e Echeverria.
Si një burrë i moshuar, Echeverria u shpëtoi përpjekjeve të prokurorëve meksikanë për ta paditur për gjenocid, për rolin e tij në dy masakrat famëkeqe të protestuesve studentorë në vitet 1968 dhe 1971, që ndihmuan në përcaktimin e një epoke të represionit të ashpër shtetëror.
Echeverria mohoi keqbërjen dhe tha se ndërgjegjja e tij ishte e pastër. Ai nuk pranoi të dëshmonte për krime që nuk janë zbardhur plotësisht as sot e kësaj dite.
Një anëtar besnik i Partisë Revolucionare Institucionale (PRI), e cila sundoi Meksikën për 71 vjet, deri në rrëzimin e saj në zgjedhjet e vitit 2000, Echeverria besonte në ruajtjen e sistemit gjithëpërfshirës partiak që shtrihej në çdo sferë të jetës publike.
Presidenca e tij nga viti 1970 deri në vitin 1976 u ndot që në fillim nga akuzat se ai urdhëroi trupat të hapnin zjarr mbi mijëra studentë që demonstronin paqësisht në zonën e qytetit të Meksikos në Tlatelolco më 2 tetor 1968, teksa shërbente si ministër i brendshëm.
Në atë kohë, qeveria tha se vetëm 30 njerëz ishin vrarë dhe plagosur, në masakrën e kryer disa ditë përpara hapjes së Lojërave Olimpike në Mexico City. Disa dëshmitarë thanë se shumë trupa të tjerë u larguan nga vendi i ngjarjes.
Qindra studentë u rrahën dhe u burgosën pas protestës, e cila ndodhi kur kryengritjet studentore shpërthyen në mbarë botën. Një numër përfundimtar i vdekjeve nuk është dhënë kurrë.
Si ministër i brendshëm, Echeverria udhëhoqi një grup zyrtarësh të lartë që hartuan një përgjigje ndaj kryengritjeve studentore, sipas dokumenteve të deklasifikuara të qeverisë amerikane.
Echeverria premtoi një “hapje demokratike”. Ai liroi njerëzit e burgosur pas masakrës dhe u shoqërua me të majtën intelektuale, duke i promovuar në poste të rëndësishme në qeveri.
Por nga fundi i viteve 1960 deri në fillim të viteve 1980, aktivistët thonë se forcat e sigurisë së PRI ishin përgjegjëse për një fushatë brutale kundër intelektualëve të majtë dhe gazetarëve kritikë, shumë prej të cilëve u vranë dhe u zhdukën gjatë sundimit të Echeverrias.
Në vitin 2006, një gjykatës urdhëroi që Echeverria të vendosej në arrest shtëpiak për lidhjen e tij me vrasjet e studentëve, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Por në mars 2009, një gjykatë vendosi se sulmi i ushtrisë nuk kualifikohej si gjenocid dhe mbështeti vendimet e mëparshme se një statut 30-vjeçar i kufizimeve për krimet kishte skaduar.
Gjatë presidencës së tij, Echeverria kishte plane për të rishpërndarë tokat e të pasurve te fshatarët dhe përkrahu një politikë ekonomike me tarifa të larta, ndërhyrje të shtetit dhe preferencës për produktet vendase.
Teksa sektori publik u rrit dhe bashkë me të edhe huamarrja e qeverisë, Echeverria anashkaloi klasën e biznesit, e cila ndaloi investimin dhe dërgoi kapitalin e saj jashtë vendit.
Borxhi i jashtëm i Meksikës u gjashtëfishua dhe vlera e pesos pothuajse u përgjysmua gjatë mandatit të Echeverria, duke çuar në një zhvlerësim të monedhës pak para skadimit të mandatit të tij.
Në vitin 2020, pas rreth 10 vitesh larg syrit të publikut, media meksikane fotografoi Echeverrian duke pritur në një karrige me rrota për të marrë një vaksinë anti-COVID.