“Ukraina s’fiton dot, as me armët e SHBA”, Orban: Me Trump dhe Merkel, kjo luftë nuk do të niste kurrë

Hungaria i kërkon Bashkimit Europian që të ndërtojë një strategji të re lidhur me luftën në Ukrainë. Kryeministri Viktor Orban sugjeroi se ajo nuk duhet të fokusohet në mbështetjen e Kievit apo Moskës, por si palë ndërmjetëse për një marrëveshje paqeje.

Ai vlerëson se Ukraina nuk ka fuqinë e nevojshme për të triumfuar, qoftë edhe me ndihmën e madhe të perëndimit.

Është absolutisht e qartë se lufta nuk mund të fitohet në këtë mënyrë. Ukraina nuk do ta fitojë kurrë luftën kundër Rusisë me armët dhe trajnimet e personelit amerikan, është shumë e thjeshtë, pasi ushtria e Rusisë ka një dominim asimetrik”, u shpreh Orban.

Ai kritikoi sanksionet e Bashkimit Europian duke theksuar se ato më shumë po dobësojnë vendet anëtare se sa Rusinë. Orban paralajmëroi se kjo krizë, e cila aktualisht është vetëm ekonomike, shpejt mund të shndërrohet në politike me një efekt domino në rrëzimin e qeverive, dhe përmendi rastin e Britanisë, Italisë, Bullgarisë dhe Estonisë. Kryeministri hungarez pretendon se kjo luftë mund të ishte shmangur, nëse bota do kishte pak më shumë fat.

Nëse Donald Trump do të kishte qenë president i Shteteve të Bashkuara dhe Angela Merkel kancelare e Gjermanisë, kjo luftë nuk do të niste kurrë. Por ne nuk patëm fat, prandaj jemi në këtë luftë”, u shpreh Orban.

Në fund Orban tha se duhet arritur marrëveshje të reja me rusët, kinezët dhe amerikanët. Kryeministri sqaroi se për të do të kishte qenë shumë herë më e lehtë nëse do të negocionte me republikanët se sa tani me demokratët në pushtet.