Ukraina kërkon ngrirjen e borxhit për të shmangur falimentimin

Ukraina u ka kërkuar kreditorëve të saj që të ngrijnë pagesat për dy vjet ndaj obligacioneve ndërkombëtare, në përpjekje për të përqendruar burimet e saj financiare në zmbrapsjen e Rusisë.

Kreditorët kanë afat deri më 9 gusht që të votojnë për këtë propozim. Ukraina tha se ky plan i saj është ushtrim i menaxhimit të obligimeve, duke lënë të kuptohet se përpjekjet e Kievit janë që investitorët t’i zhvlerësojnë ato.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Kreditorët veçse kanë thënë se ata do të pezullojnë pagesat që kanë në pronësi dhe u kanë bërë thirrje mbajtësve të obligacioneve që të pranojnë kërkesën e Ukrainës për ngrirje.

Grupi, përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, tha se ata do të ofrojnë pezullim të koordinuar të borxhit nga 1 gushti deri në fund të vitit 2023 dhe ka mundësi që kjo periudhë të zgjatet edhe për një vit shtesë.

Sa borxh ka Ukraina?
Në fund të vitit 2020, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Ukraina kishte 130 miliardë dollarë borxh të jashtëm.

Ukraina ka vendosur që pothuajse 20 miliardë dollarë bono ndërkombëtare të jenë subjekt i ngrirjes – 11 letra me vlerë në dollarë dhe dy në euro – me maturim nga viti 2022 deri më 2030. Ukraina gjithashtu ka një garanci që lidhet me rritjen e Bruto Prodhimit të Brendshëm. Kjo u krijua gjatë ristrukturimit të borxhit më 2015 si një ëmbëltues për kreditorët.

Kush janë kreditorët e bonove?
Bonot sovrane të Ukrainës mbahen nga menaxherë të mëdhenj të fondeve.

Të dhënat e EMAXX tregojnë se menaxheri më i madh në botë i aseteve, BlackRock, mban 1.2 miliard dollarë në fonde të ndryshme në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, kompania Alliance Bernstein ka 580 milionë dollarë, ndërkaq Eaton Vance dhe PIMCO që të dy kanë 300 milionë dollarë të obligacioneve.

BlackRock nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë çështje, ndërkaq Eaton Vance dhe Alliance Bernstein nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara nga Reuters.

Në çfarë gjendje janë financat publike të Ukrainës?
Ekonomia e Ukrainës ka marrë një goditje të madhe nga pushtimi që Rusia nisi më 24 shkurt dhe parashikimet janë që ekonomia do të ketë një tkurrje nga 35 deri në 45 për qind gjatë vitit 2022.

Ukraina ka vlerësuar se do të ketë një rënie fiskale prej 5 miliardë dollarësh – apo 2.5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm që kishte para luftës – në muaj, që ekonomistët llogaritën se do të shtyjë deficitin fiskal në 25 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, krahasuar me vetëm 3.5 për qind sa ishte para konfliktit.

Që nga fillimi i luftës e deri më 12 korrik, Ukraina ka pranuar 12.7 miliardë dollarë fonde të jashtme nga institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe nga qeveritë e tjera, ka bërë të ditur Ministria e Financave. Kievi po ashtu ka siguruar të njëjtën shumë përmes financimeve nga sigurimi i donacioneve nga banka qendrore dhe qeveria vendore, kryesisht përmes shitjeve të të ashtuquajturave “obligacione të luftës”.

Agjencia e vlerësimit Moody, në llogaritjet e fundit tha se të ardhurat nga taksat janë ulur mbi një të tretën që nga fillimi i pushtimit, ndërkaq në periudhën e njëjtë shpenzimet e Qeverisë janë rritur për rreth 36 për qind , kryesisht për shkak të një rritjeje prej 319 për qind të shpenzimeve të mbrojtjes.

Hapja e një llogarie së fundmi në Fondi Monetar Ndërkombëtar për të kanalizuar burimet e donatorëve për balancimin e pagesave dhe nevojave buxhetore, por edhe donacioneve SDR (asete ndërkombëtare rezervë të krijuara nga FMN-ja për të plotësuar nevojat e shteteve anëtare) për Ukrainën, kanë ndihmuar që të lehtësohet situata ekonomike.

Çfarë pasojash ka ngrirja e borxhit?
Një moratorium do të lejonte që menjëherë fondet të mund të çliroheshin për t’u përdorur për shpenzimet e luftës. Ministria e Financave tha se kjo do të ndihmonte në “zbutjen e hendekut fiskal mujor prej 5 miliardë dollarësh”, pasi vendi nuk do të duhej t’i përdorte rezervat e saj ndërkombëtare për të paguar maturimin e obligacioneve në një situatë të rëndë financiare.

“Shumica e njerëzve kanë pritur që Ukraina të falimentojë qëkur ka nisur pushtimi, prandaj ngrirja e borxhit ka kuptim në këtë drejtim”, tha Stuart Culverhouse, shef i ekonomistëve në kompaninë e të dhënave me seli në Londër, Tellimer.

Propozimi i Ukrainës është një pezullim i shërbimit të borxhit, por pyetja qëndron se si Kievi do t’i kthejë këto letra me vlerë në të ardhmen. Një ristrukturim i borxhit mund të jetë veprimi i radhës.

Qeveria dhe kreditorët do të negociojnë dhe më pas pritet të bien dakord mbi kushtet e reja për obligacionet, që mund të përfshijnë zgjatje të maturimit, shkurtime apo një kombinim i të dyjave.

“Kjo nuk do të jetë një vragë e përhershme për Ukrainën në mënyrë që të rifitojë qasjen në treg”, tha Culverhouse. “Të gjithë mund ta pranojnë që kjo është pasojë e agresionit të Rusisë dhe kreditorët do të përgatiten që ta shikojnë Ukrainën në një mënyrë më favorizuese”.

Herën e fundit që Ukraina ristrukturoi bonot sovrane ishte në vitin 2015.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Investitorët kanë pranuar një kërkesë formale për pëlqim – një ofertë nga emetuesi për të ndryshuar disa nga kushtet e kontratave të obligacioneve.

Ministria ukrainase e Financave të mërkurën mbajti një takim me kreditorët për t’iu shpjeguar detajet e propozimit dhe pikat e tjera.

Kreditorët kanë afat që deri më 9 gusht të votojnë për propozimin dhe rezultati i votimit do të publikohet një ditë më pas.

Ka disa përparësi lidhur me atë se çfarë po ndodh në anën sovrane. Javën e kaluar, kompania shtetërore ukrainase e energjisë, Naftogaz, kërkoi nga kreditorët një ngrirje dyvjeçare të pagesës së borxhit.

Ky propozim ngriti shqetësime dhe disa kreditorë thanë se periudha e kërkuar për ngritjen e pagesave të borxhit është shumë e gjatë.

“Pse dy vjet? Nuk është e qartë, por nuk duket se lufta do të mbarojë së shpejti dhe është shumë e vështirë që të bëhet një analizë e qëndrueshmërisë së borxhit në këtë situatë”, tha një kreditor, i cili kërkoi që të mos identifikohej.

“Nuk është e qartë nëse ky propozim do të pranohet gjerësisht nga kreditorët. Mund të ketë disa kundërshti nga kreditorët të cilët mund të kërkojnë që të ulet periudha e ngrirjes së pagesave”.