Ukraina e gatshme ta shkatërrojë urën më të madhe në Evropë që lidh Krimenë me Rusinë

Ukraina do ta shkatërrojë edhe urën e Kerçit, në rast nevoje për ta ndaluar përparimin rus, deklaroi sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Oleksiy Danilov, raportoi BBC-ja të enjten.

Ai tha se ky vendim do të merret në rast nevoje, duke shtuar se aktualisht “gjithçka është nën kontroll”.

“Nëse është e nevojshme, ky vendim (për rrëzimin e urës) do të merret nga ushtria. Sa i përket urës së Krimesë apo infrastrukturës tjetër, më besoni, gjithçka është nën kontroll të ngushtë. Sapo të ketë nevojë, mundësi e detyrë gjithçka do të bëhet dhe jo vetëm në lidhje me këtë objekt”, potencoi Danilov.

Ai shtoi se suksesi ushtarak i Ukrainës do ta varet nga ajo se sa shpejt trupat ukrainase do të furnizohen me armë moderne.
Ukraina tashmë ka nisur shkatërrimin e urave, me qëllim të stopimit së vrullit rus. Së fundmi, ura e qytetit Antonovskiy mbi lumin Dnieper, që lidh Ukrainën me Krimenë, u shkatërrua nga forcat ukrainase.

Ura e Kerçit, e njohur ndryshe si Ura e Krimesë, përfundoi së ndërtuari në vitin 2018 nga rusët, pasi Rusia aneksoi Krimenë. Gjeografikisht, ura lidh Krimenë me Rusinë, gjersa ka gjatësi prej 19 kilometrash, që e bën më të gjatën në Evropë.