Një person i armatosur hapi zjarr në kampusin universitar në rajonin e kryeqytetit të Filipineve të dielën, duke vrarë një ish-kryetare bashkie dhe dy të tjerë në një sulm përpara një ceremonie diplomimi, tha policia.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, i dyshuari ishte i armatosur me dy pistoleta dhe u kap në një makinë duke u përpjekur të arratisej nga Universiteti Ateneo de Manila në periferi të Quezon City, tha policia.
Ai u bllokua nga dëshmitarët dhe autoritetet jashtë portave të universitetit.
Presidenti i sapozgjedhur, Ferdinand Marcos Jr. premtoi se do të hetohej me shpejtësi sulmi dhe se ata që qëndronin pas vrasjeve do të sillen para drejtësisë.
Ai është planifikuar të flasë në një seancë të përbashkët të Kongresit në Dhomën e Përfaqësuesve të hënën gjithashtu në qytetin e Quezon, ku policia dhe forcat e tjera të ligjit kishin vendosur ndalimin e armëve dhe rritjen e sigurisë përpara të shtënave.
Të vrarët në sulm përfshinin Rosita Furigay, një ish-kryetare bashkie e qytetit Lamitan në provincën jugore Basilan, ndihmësja e saj dhe një roje universiteti.
Vajza e Furigay, e cila supozohej të merrte pjesë në diplomim, u plagos dhe u dërgua në spital, thuhet në një raport të policisë.
Hetuesit po përpiqeshin të përcaktonin motivin e sulmit, por shefi i policisë së Quezon City, Brig. Gjenerali Remus Medina tha se i dyshuari, me sa duket një mjek, kishte një grindje të gjatë me Furigay.