Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 muaj burg një 53-vjeçar, pasi ai ka kanosur nëpërmjet Facebook, ish-kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klemet Zguri.
“Ta vras familjen m..”, ishte mesazhi që mbërriti në adresën e rrjetit social facebook të Klement Zgurit më 4 korrik 2019, kohë kur ai ushtronte detyrën e kryetarit të komisionit qendror të zgjedhjeve.
Sipas dosjes që ka siguruar Euronews Albania, Zguri ka depozituar kallëzim në policinë e Tiranës, e cila nisi hetim për kanosje për shkak të detyrës dhe ndaj tij u rriten masat e sigurisë.
Kërcënimi kishte mbërritur në adresë të kryetarit të KQZ-pak minuta pas shpalljes së rezultateve të dy bashkive të vendit, për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Hetimi zbuloi se kërcënimi kishte ardhur nga një 53-vjeçar nga Shkodra, që ishte larguar jashtë shtetit në Greqi që prej vitit 2010.
Ai është dënuar pak muaj më parë në mungesë nga gjykata e Tiranës me 3 muaj burg, për “Kanosje për shkak të detyrës”.
Në proces është paraqitur edhe vetë ish-kreu i KQZ-së Klement Zguri i cili është shprehur se ndihej keq që gjerat shkuan në këtë mënyrë dhe nëse do të pyetej më herët, do të hiqte dorë nga ankimi. /euronews/