Edhe fëmijë të moshës pesëvjeçare ka që identifikohen me simbole politike si flamujt, sipas një hulumtimi ndërkombëtar.
Hulumtuesit nga Queen’s University Belfast ishin pjesë e ekipit që gjeti modelet e njëjta midisi fëmijëve që jetojnë në shoqëri post-konflikti si Kosova, Maqedonia, Irlanda Veirore në lidhje me preferencat e tyre për simbole të caktuara.
Imazhet e lulëkuqes dhe tërfilit, vallëzimeve irlandeze, paradave të Rendit të Portokalltë, priftërinjtë, fanellat e klubeve sportive Rangers dhe Celtics u përdorën për një studim të përfaqësimit të prapavijave katolike dhe protestante, shkruan The Irish Times, transmeton Klankosova.tv.
“Na interesonte një rang i tërë simbolesh nga jeta politike, fetare dhe kulturore. Nëse jeni një 18-vjeçar duke ecur në një rrugë në Irlandën Veriore, atëherë e dini se çka do të thotë një bordurë e ngjyrosur kuq, bardh e kaltër”, ka thënë Dr. Laura K. Taylor nga ky universitet.
“Donim ta dinim se prej çfarë moshe e dinin fëmijët këtë. Po ashtu donim ta dinim se si këta fëmijë do të ndërveprojnë me njëri-tjetrin – dhe se si kjo e ndikon ndërtimin e paqes”.
Në projekt morën pjesë më shumë se 700 fëmijë të moshave pesë deri në 11 e që shkonin në shkollë. Ata u ndanë nga etnia dhe feja.
Simbolet politike, kulturore dhe fetare u përdorën në testime që përfshinin gati 300 fëmijë nga Veriu.
Ata ua shfaqnin secilit fëmijë nga dy imazhe dhe i pyesnin se cila u pëlqente më shumë. Ata pastaj pyeteshin për perspektivat e tyre mbi paqen dhe u kërkohej t’i shpjegonin mendimet e tyre përmes vizatimeve.
Kështu, kishte rezultuar që fëmijë nga prapavija të ndryshme fetare i ndanin bashkë burimet, për çka hulumtuesit thonë se është shenjë pozitive që ka implikime për konfliktin dhe zgjidhjen e tij.
“Hulumtimi ynë tregon që fëmijët fillojnë të identifikohen me simbole aq herët sa në moshën pesëvjeçare por teksa kalojnë vitet -drejt moshës 11-vjeçare – ata shfaqin preferenca më të mëdha për simbole më të larta të brenda-grupit [që lidhen me vetë prapavijat e tyre]. Është interesante që kjo vlen ndërkombëtarisht”.
“Por edhe fëmijët në Veri [Irlandë] ishin prapë më të vullnetshëm që t’i ndanin gjërat me grupet tjera të konfliktit. Ishte e njëjta gjë në Kosovë dhe në Maqedoni”.
“Arsyeja se pse mendojmë që kjo vlen, është për shkak që konflikti shpesh perceptohet si zero-sum; pra që gjoja ‘fitorja e grupit tjetër është humbja e timit’. Andaj, mendojmë që nëse ata janë duke I ndarë këto burime në një moshë të hershme, kjo mund të ketë implikime afatgjatë për vullnetin e tyre për të ndarë dhe përkrahur palë që janë të vullnetshëm për t’i ndarë gjërat përgjatë linjave të grupeve. Me grup nënkuptoj ata që vijnë prej komuniteteve të ndryshme”, përcjell Klankosova.tv.