Sri Lanka zgjedh presidentin e ri mes protestave masive

Deputetët e Sri Lankës kanë zgjedhur kryeministrin Ranil Wickremesinghe si presidentin e ri të vendit, pavarësisht se nuk gëzon popullaritet në publik.

Wickremesinghe përballet me detyrën për të nxjerrë vendin nga kolapsi ekonomik dhe për të rivendosur rendin pas muajsh protestash masive, shkruan BBC.

Ai mundi rivalin e tij kryesor për këtë detyrë, Dullus Alahapperuma, me 134 vota kundër 82 në një votim parlamentar.

Ish-presidenti i Sri Lankës Gotabaya Rajapaksa u largua nga vendi javën e kaluar.

Ai shkoi në Maldive dhe më pas në Singapor, pasi mijëra protestues sulmuan rezidencat e tij presidenciale dhe ndërtesat e tjera qeveritare, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Ata gjithashtu kishin bërë thirrje për dorëheqjen e Wickremesinghe, një aleat i ngushtë i familjes politike Rajapaksa, i cili u emërua kryeministër në muajin maj.

Kryeqyteti i Sri Lankës, Colombo është përfshirë nga protestat këtë të shtunë për shkak të krizës ekonomike në vend.

Qytetarët kërkuan dorëheqjen e presidentit, i konsideruar përgjegjës për krizën ekonomike që ka pushtuar vendin, me një inflacion rekord, mungesë karburanti, energjie elektrike dhe ushqimesh.